Lidhje

Amerikanët festojnë Ditën e Falenderimeve


Amerikanët festojnë sot Ditën e Falenderimeve me dreka familjare, blerje dhe aktivitete të tjera. Dita e Falenderimeve festohet çdo vit të enjten e fundit të nëntorit. Në prag të festës, Presidenti Barak Obama dhe familja e tij vizituan një qendër të Uashingtonit që siguron ushqime, veshje dhe shërbime të tjera falas për të varfërit. Po dje, zoti Obama mori pjesë në ceremoninë tradicione të faljes së një gjeli deti. Gjeli i detit është ushqimi tradicional që përdoret në drekat e bollshme të festës së Falenderimeve në Shtetet e Bashkuara.

Në Shtetet e Bashkuara është Dita e Falenderimeve, një festë e veçantë amerikane që i ka fillesat në periudhën e hershme të kolonive britanike. Një nga mënyrat se si amerikanët e festojnë këtë ditë është nëpërmjet paradave. Një komunitet pranë Uashingtonit e feston këtë ditë duke vënë në pah diversitetin e tij.

Mirësevini në Silver Sping, të shtetit Maryland, në rrethinat e Washington, D.C. Në këtë ditë të ftohtë, një paradë e Ditës së Falenderimeve dëshmon diversitetin e këtij komuniteti. Është një mundësi që të tregojnë aftësitë e tyre bandat muzikore të shkollave, atletët dhe akrobatët. Krijon gjithashtu edhe mundësinë e rrallë për të parë njerëz të veshur si kllounë që marshojnë përkrah biznesmenëve të veshur me kostum.

Parada e Ditës së Falenderimeve është një traditë prej vitesh tashmë. Ka filluar si një ngjarje e vogël në komunitet, dhe është rritur së bashku me qytetin. Silver Spring është sot një qytet i gjallëruar në të cilin ka kompani të mirënjohura, si Discovery Channel.

Dita e Falenderimeve i ka fillesat në vitin 1621, kur kolonët e hershëm amerikanë në shtetin e Masaçusets organizuan një festë falenderimi për korrjet e mira. Sot, aspekti fetar është pjesa më e vogël e festimit, thotë një pjesmarrëse.

“Dita e Falenderimeve është për të ndarë të mirat me njëri-tjetrin.”

Paradat për Ditën e Falenderimeve organizohen në të gjithë vendin, por çdo komunitet i jep veçorinë e tij. Këtu në Silver Spring, kërcimtarë latino-amerikanë marshojnë nën ritmin e muzikës afrikane duke vënë në dukje komunitetin multi-kulturor në të cilin jetojnë. Kjo paradë i ngjason një karnavali përpara një darke festive me familjen dhe miqtë.

“Ushqim, gëzim, të qeshura, dhe kalimi i kohës së bashku me familjen. Nuk i shijojmë shumë këto gjëra gjatë vitit.”

Dita e Falenderimeve shënon edhe fillimin e stinës së festave në SHBA. Është një ditë me rrënjë të thella në traditën amerikane, gjatë së cilës lihet mënjanë politika dhe festohet për shpirtin e vërtetë amerikan: mirënjohjen për bekimet e marra.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG