Lidhje

Rënie e lirisë globale në internet


Një anketë e re tregon se liria në internet ka rënë në botë për të katërtin vit radhazi, si rezultat i praktikave censuruese dhe kontrollit që ushtrojnë vende të ndryshme mbi aktivitetin dixhital. Organizata Freedom House nxori dje raportin vjetor ku thotë se një numër më i madh njerëzish po arrestohet për aktivitetin në internet dhe se media online po ballafaqohet me presion në rritje për të përmbushur kërkesat e qeverisë për heqjen e informacionit nga faqet elektronike.

Raporti “Liria e Internetit 2014” thotë se më shumë se gjysma e 65 vendeve të analizuara kanë forcuar politikat që ushtrojnë censurë dhe filtrojnë informacionin në internet që nga maji 2013. Disa qeveri kanë zgjeruar format e kontrollit të internetit dhe mënyrat e ndëshkimit të qytetarëve, të cilët i akuzojnë për veprime të palejueshme në internet. Laura Reed me Organizatë Freedom House fajëson veprime të tilla për rënien e lirisë në internet:

“Rënia më dramatike u vërejt në Rusi, Turqi dhe Ukrainë. Gjithashtu në përputhje me rezultatet e ulëta të viteve të kaluara, paraqiten më dobët Irani, Siria dhe Kina”.

Raporti vëren se rezultati i Rusisë ka qenë në rënie gjatë pesë viteve të fundit. Që kur Vladimir Putin u kthye në presidencë në 2012, qeveria ka miratuar një numër ligjesh për të bllokuar informacionin në internet.

“Rusia vuri në shenjestër disa nga grupet mediatike në internet në një formë që nuk e kishin bërë më parë. Kjo ndodhi në mars, kur përdorën një ligj të miratuar në dhjetor të vitit të kaluar. Ligji i ri lejon prokurorin e përgjithshëm të nxjerrë urdhëresa për të bllokuar informacion në internet lidhur me ektremizmin apo thirrjet për protesta publike pa leje. Ligji u përdor pak kohë pas miratimit për të bllokuar median e pavarur në Rusi që raportonte për zhvillimet në Ukrainë, apo që kishte qenë kritike e Kremlinit në të kaluarën”.

Edhe Ukraina shënoi rënie, kryesisht si rezultat i masave kundër gazetarëve që transmetojnë me internet, gjatë protestave anti-qeveritare në Kiev kur presidenti Viktor Janukoviç ishte në pushtet.

Sipar raportit, këtë vit është vërejtur edhe një rritje në shkallë globale e arrestimeve që lidhen me veprimtarinë në internet. Përdoruesit e internetit u gjykuan jo vetëm për informacionin që vinin në internet, por në disa raste edhe për informacion të zbuluar në pajisjet e tyre elektronike.

“Veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, ndër 11 vende që analizuam 10 prej tyre kishin arrestuar përdorues interneti gjatë vitit të kaluar”.

Irani, Siria dhe Kina shënuan shkeljet më të rënda të lirisë së internetit. Disa vende shënuan përparim të vogël duke lehtësuar kontrollin mbi internetin, ndër to: Birmania, Tunizia, Kuba dhe India, e cila kishte përmirësimin më të madh.

Përdoruesit e internetit në Shtetet e Bashkuara dhe pjesën më të madhe të Evropës vazhdojnë të gëzojnë lirinë më të madhe në internet, megjithëse Shtetet e Bashkuara humbën pikë kur u bë publike ekzistenca e programeve përgjuese nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.

XS
SM
MD
LG