Lidhje

Kerry: Rusia të ndalë mbështetjen për seperatistët në Ukrainë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se përmirësimi i marrëdhënieve mes Perëndimit dhe Moskës është i mundur nëse Rusia ndal mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës.

Zoti Kerry foli sot në Basel të Zvicrës në një takim të OSBE-së. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë të konfrontohen me Rusinë lidhur me Ukrainën dhe as duan ta shohin Moskën “të izoluar për shkak të veprimeve të saj."

Por zoti Kerry tha se mbështetja e Rusisë për rebelët dëmton besueshmërinë e Moskës, duke paralajmëruar se qytetarët e saj do të paguajnë një çmim të madh ekonomik dhe njerëzor.

Perëndimi ka vendosur sanksione të fuqishme ekonomike mbi Rusinë, duke e akuzuar Moskën se furnizon me armë dhe trupa luftëtarët rebelë.

Zoti Kerry i përsëriti këto akuza duke thënë se Rusia nuk i ka respektuar kushtet e marrëveshjes së armëpushimit që separatistët arritën me Kievin në shtator.

Rusia mohon se furnizon me armë dhe me trupa militantët, por ka thënë se përfshirja e saj në Ukrainë ishte e justifikuar pasi Perëndimi mbështeti atë që Moska e sheh si një grusht shteti për të përmbysur udhëheqjen pro-ruse të vendit.

Kriza në Ukrainë pritet të dominojë takimin e sotëm mes zotit Kerry dhe homologut të tij rus Sergei Lavrov .

XS
SM
MD
LG