Lidhje

Policia dhe përdorimi i tepruar i forcës


Administrata e Presidentit Obama ka krijuar një ekip ekspertësh federalë për të ndryshuar politikat e funksionimit të policisë, duke përfshirë përdorimin e forcës në arrestimin e të dyshuarve. Ky hap vjen si përgjigje e demonstratave në mbarë vendin ku po bëhet thirrje për reforma në polici pas vrasjes së adoleshentit të paarmatosur Michael Brown nga polici Darren Wilson në gusht të këtij viti në Ferguson të Mizurit. Incidentet vdekjeprurëse kanë nxjerrë në pah nevojën për përmirësimin e praktikave të policisë.

Në protesta po bëhet thirrje për t’i dhënë fund profilizimit racor dhe përdorimit të tepruar të forcës nga policia, veçanërisht kundër popullsisë afrikano-amerikane të vendit. Protestuesit në Uashington shkaktuan vonesa në trafik duke u shtrirë në rrugë në orët e mëngjesit kur njerëzit po shkonin në punë.

"Çdo gjë duhet të pushojë deri sa njerëzit ta kuptojnë se jeta e njeriut është e rëndësishme. Jo vetëm jeta e afrikano-amerikanëve, por jeta e të gjithëve është e çmuar".

Vrasja e adoleshentit të paarmatosur Michael Brown në Ferguson nga polici Darren Wilson në gusht të këtij viti ndezi tensionet racore dhe shqetësimet rreth përdorimit të tepruar të forcës nga policia kundër afrikano-amerikanëve. Zoti Wilson tha se ai ishte i frikësuar se Michael Brown do ta vriste atë pasi ai u përpoq t’i merrte armën. Por një juri në Mizuri nuk vendosi të ngrejë akuza kriminale kundër zotit Wilson.

Presidenti Obama gjatë një takimi me udhëheqësit e komunitetit afrikano-amerikan premtoi se do të ushtrojë trysni për reforma në departamentet e policisë së qyteteve me nivele të larta të përdorimit të armëve të zjarrit nga polica kundër afrikano-amerikanëve.

"Frustrimet që kemi parë nuk janë të lidhura me një incident të veçantë. Ato kanë rrënjë të thella në shumë komunitete të njerëzve me ngjyrë të cilët ndjenjë se ligjet tona nuk zbatohen gjithmonë në mënyrë gjithpërfshirëse ose të drejtë".

Këtët vit ka patur disa raste vdekjeprurëse të përballjes mes policisë dhe afrikano-amerikanëve. Në korrik, 43-vjeçari Eric Garner vdiq nga një sulm në zemër pasi një polic i qytetit të Nju Jorkut i vuri krahun rreth qafës në përpjekje për ta arrestuar atë nën akuzat se ai ishte duke shitur cigare të paligjshme. Incidenti çoi në një program të gjerë rikualifikimi për policët e Nju Jorkut me një fokus të veçantë përdorimin e forcës gjatë arrestimeve.

Në nëntor një polic në Klivlënd të Ohajos qëlloi për vdekje një 12-vjeçar afrikano-amerikan i cili po mbante një armë plastike. Vrasja e tij ndodhi më pak se dy sekonda pasi polici doli nga makina. Deri tani, nuk janë ngritur akuza kundër policit. Udhëheqësit e të drejtave civile si zoti Al Sharpton janë ankuar rreth agresivitetit të policisë ndaj të rinjve afrikano-amerikanë dhe pakicave të tjera.

"Kam frikë se nuk do të ngrihen akuza ndaj policëve për vrasjen e njerëzve të paarmatosur. Unë i frikësohem kësaj. Mendoj se ne nuk po reagojmë ndaj vetë padrejtësive".

Departamenti amerikan i Drejtësisë po kryen një hetim ndaj Departamentit të policisë në Ferguson dhe disa departamenteve të tjera për të parë nëse ekziston një prirje në përdorimin e tepruar të forcës ose profilizimit racor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG