Lidhje

Nis diskutimi për cmimin e energjisë


Enti Rregullator organizon takim me operatorët e sistemit të energjisë. Të gjithë kanë kërkuar rritje të tarifave. Vendimi brenda dhjetorit

Në Shqipëri, Enti Rregullator i Energjisë zhvilloi sot një takim me përfaqësues të tre kompanive të sektorit energjitik dhe grupeve të ndryshme të interesit në prag të vendimit për rishikimin e tarifave të energjisë elektrike. Cështja më e ndjeshme është ajo lidhur me tarifën për furnizmin e përdoruesve familjarë, pas kërkesës së qeverisë për të hequr sistemin dy breza, për konsumin deri në 300 kilowat dhe mbi këtë sasi energjie.

Shqipëri, tarifat e energjisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:05 0:00

Tre ndërmarrjet e sektorit energjitik në Shqipëri, operatori i Sistemit të Shpërndarjes, ai i Transmetimit dhe Korporata energjitike si prodhuese e energjisë, kanë kërkuar rritjen e cmimit me të cilin ata operojnë në treg. Shkak për këtë kërkesë është bërë situata e rënduar financiare dhe një zinxhir borxhesh që ato i kanë njëra tjetrës por edhe të tretëve. Enti rregullator I energjisë organizoi sot një takim për të dëgjuar propozimet e palëve, përpara se të dalë me një vendim për tarifat e reja, i cili pritet të merret gjatë këtij muaji.

Operatori i Sistemit të Transmetimit kërkon që për shërbimin që ofron, tarifa të shkojë nga 0.65 lekë për kilowatt/orë, në 0.75 lekë. Ndërsa Kesh ka kërkuar që cmimi me të cilin ajo e shet energjinë të shkojë nga 2.2 lekë në 3.4 lekë për kilowatt/orë. Të gjitha këto janë kosto që i faturohen Operatorit të Shpërndarjes i cili e shet energjinë për konsumatorët. Ky operator ka kërkuar një cmim unik prej 12.03 lekë, dhe jo me sistemin dy tarifor si deri më tani. Edhe qeveria nga ana e saj ka propozuar pikërisht heqjen e dy brezave të konsumit me tarifa të ndryshme.

Sipas zëvendësministrit të Energjisë Ilir Bejtja, tarifa unike “do të eleminojë shtrembërimin në konsum që ka shkaktuar versioni me dy nivele duke rritur abuzimin dhe manipulimin e sistemit për të paguar me tarifën më të ulët. Po kështu, shpërdorimi i energjisë dhe abuzimi e manipulimi i rrjetit të furnizimit ka çuar në një disproporcion të rëndë në strukturën e konsumit midis familjarëve dhe jo-familjarëve, ku të parët konsumojnë më shumë se 58% të energjisë së hedhur në system. Kemi një numër në total prej 987 mijë abonentësh dhe duke marrë parasysh se familjet shqiptare përbëhen mesatarisht me mbi 5 anëtarë, atëherë popullsia e vendit në rezulton të jetë rreth 5.5 milion banor. Pra është një deformim I shkaktuar nga fasha”.

Përfaqësues të grupeve të interesit, sindikatave, biznesit apo konsumatorëve, shprehën shqetësim mbi efektin e ndryshimit të tarifave në ekonomitë e familjeve shqiptare. Vëmendja në fakt është përqëndruar pikërisht te cmimi që do të rezultojë mbi përdoruesit familjarë. Zëvendësministri Bejtja kërkoi në emër të qeverisë që tarifat e reja të mos e tejkalojnë cmimin mesatar që sipas autoriteteve llogaritet të jetë 9.9 lekë. “Qeveria shpreh qëndrimin e saj për mostejkalim të kostos mesatare aktuale pas ristrukturimit të tarifës nga heqja e fashës. Ndërkohë, për kategoritë e konsumatorëve në nevojë, të përcaktuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, qeveria do të kompensojë të gjithë efektin e ndryshimeve të mundshme që mund të rezultojnë pas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë dhe ristrukturimit të tarifës”, deklaroi zoti Bejtja.

Sipas përllogaritjeve të qeverisë pensionistët dhe familjet në nevojë do të përfitojnë si kompensim një shumë prej 700 lekësh në muaj për të përballuar heqjen e fashës prej 300 kiloëat. Nëse do të llogarisim se me cmimin e sotëm, për një konsum të tillë, duhet të paguhen 2300 lekë në muaj pa Tvsh, atëherë, për të njejtën sasi energjie, shtesa prej 700 lekësh, do të ishte e mjaftueshme, për të përballuar një cmim jo më të lartë se 9.5 lekë për kilowatt/orë.

Paralelisht me ndryshimin e strukturës së cmimit, qeveria ka nisur prej javësh një aksion edhe kundër vjedhjes së energjisë, ndërsa ka ofruar së fundmi edhe lehtësira për konsumatorët familjarë që nuk paguajnë prej kohësh energjinë, përmes mundësisë së pagesës me këste, apo uljen deri në 80 përqind të vlerës së kamatvonesave, në rast se pagesat e vonuara bëhen menjëherë. Një masë e cila duket se të paktën në këto ditë të para ka dhënë një efekt pozitiv, duke sjellë një dyndje drejt sporteleve të kompanisë së shpërndarjes.

XS
SM
MD
LG