Lidhje

Ekonomia e Rusisë


Monedha ruse, rubla, ra këtë javë në nivelin më të ulët të çerek shekullit të fundit. Ra gjithashtu edhe çmimi i naftës ndërkohë që zyrtarët e financave ndryshuan parashikimin për vitin tjetër nga rritje e vogël në recesion. Ekonomia e Rusisë po dëmtohet nga sanksionet perëndimore për shkak të Ukrainës, dhe investimet e huaja po largohen nga vendi. Por, ekonomistët thonë se problemet themelore të Rusisë janë edhe më të rënda se sa zhvillimet në Ukrainë apo çmimi i naftës.

Ekonomia e Rusisë pritet tashmë të bjerë në vitin 2015.

Çmimi i ulët i naftës e shtyu rublën drejt një rënieje rekord përkundrejt dollarit, një rënie prej 40% këtë vit.

“Më tremb fakti që vazhdojnë të rriten dollari dhe euro. Unë jam biznesmen, dhe marr mall nga Shtetet e Bashkuara. Më përpara paguaja 30 rubla, ndërsa tani 50. Për të qenë i sinqertë, kjo më tremb më shumë se çdo gjë tjetër. Po mendoj që të blej mall në Kinë tani. Marrëdhëniet me SHBA-në janë prishur dhe nuk do të marr më mall prej andej. Nuk di ç’do të bëhet më tej,” thotë një biznesmen rus.

Udhëheqësit rusë thonë se problemet ekonomike të vendit vijnë nga perëndimi dhe nga sanksionet për ndërhyrjen në Ukrainë. Autoritetet financiare ruse thonë se ndëshkimi ekonomik i vendit dhe rënia e çmimit të naftës po i kushtojnë Moskës rreth 140 miliardë dollarë në vit.

Por, ish-ministri rus i ekonomisë, Andrei Nechayev, thotë se fajin e ka mbështetja e tepruar e vendit tek burimet energjitike dhe eksportet e lëndës së parë:

“Probleme serioze ekonomike filluan përpara krizës në Ukrainë dhe përpara rënies së çmimit të naftës. Që prej vitit 2012, treguesit parësorë makroekonomikë ishin në rënie, me përjashtim të inflacionit, i cili është rritur.”

Po rriten edhe çmimet e konsumit për shkak edhe të hakmarrjes së Rusisë duke bllokuar importin e mallrave perëndimore. Sidoqoftë, propaganda shtetërore vazhdon ende ta përqëndrojë zemërimin e publikut kundër të ashtuquajturve “armiq të jashtëm”.

“Nuk mendoj se ka ndonjë kuptim të kritikojmë qeverinë, pasi tashmë jemi të vetëm dhe duhet të jemi të bashkuar. Nëse fillojmë me mosmarrëveshje, kjo do të na dëmtojë,” thotë Oleg Dibryov, një banor i Moskës.

Por, zoti Nechayev thotë se armiqtë e ekonomisë ruse janë të brendshëm, ndërkohë që autoritetet po bëjnë shumë pak që investimet e huaja të mos largohen nga vendi:

“Kam bindjen që duhet të ndërmarrim reforma serioze ekonomike për të mbrojtur të drejtat e pronësisë, për të krijuar një sistem gjyqësor vërtet të pavarur, dhe për të mposhtur sëmundjen më të rëndë të vendit – korrupsionin.”

Megjithë rënien, gjërat nuk janë aq keq sa ç’ishin kur ra Bashkimi Sovjetik, dhe zotit Nechayev iu la përgjegjësia e menaxhimit të ekonomisë së Rusisë.

“Në atë periudhë, kolapsi ekonomik ishte çështje serioze. Gjithçka u tha atëherë në shtyp, ishte e vërtetë; Rusia ndoshta nuk do mbijetonte përtej dimrit. Kishte uri, humbje në transportin publik, kaos, dhe ekzistonte rreziku i një lufte civile si në Jugosllavi, por me armë bërthamore. Ishin të gjitha kërcënime serioze, dhe jo thjesht ekzagjerime gazetareske.”

Zoti Nechayev thotë se një krizë e thellë ekonomike do të ndodhte vërtet sot nëse çmimi i naftës do të binte në nivelin e 40 dollarëve për fuçi për një periudhë një vjeçare.

Për shumicën e rusëve, përballja me një recesion nënkupton se do të marrin shumë më pak në këmbim të rublës dhe se do të duhet të paguajnë më shumë për të udhëtuar.

XS
SM
MD
LG