Lidhje

Fluturim i suksesshëm i kapsulës Orion

  • GEORGE PUTIC

Kapsula më e re e NASA-s, Orion, e projektuar për udhëtime në hapësirë me ekuipazh në bord, kreu me sukses fluturimin e saj të parë rreth Tokës, ndërsa shkencëtarët e agjencisë amerikane të hapësirës testuan sistemet e saj. Zyrtarët e NASA-s shpresojnë që misioni i së premtes të sjellë një epokë të re të fluturimeve me astronautë në bord, përfshirë një vizitë në Mars.

Pas një vonese një ditore, për shkak të problemeve të vogla me një valvul dhe erërat e forta, raketa gjigande Delta IV Heavy që mbante kapsulën Orion u nis nga Qendra e Hapësirës Kennedy në Florida dje në orën 07:05 sipas kohës lokale, kësaj radhe pa ekuipazh në bord.

Fluturimi zgjati 4 orë e 24 minuta. Anija u soll dy herë rreth Tokës para se të zbriste në Oqeanin Paqësor.

Në një konferencë shtypi pas kthimit të saj në Tokë, menaxheri i programit Orion të NASA-s, Mark Geyer tha se dje ishte një ditë e mirë për lëshimin e kapsulës:

"Është një mision i vështirë. Është një mjedis i vështirë për fluturime të tilla. Ne kishim objektivat të vështira për këtë fluturim, por Orion dhe Delta IV Heavy bënë një punë gati të përkryer. Ishte një punë e mirë nga ekipi".

Zoti Geyer thotë se ky është sistemi i parë me siguri të mjaftueshme për dërgimin e njerëzve në hapësirë të thellë që nga Apollo 17, e cila shkoi në hapësirë në vitin 1972.

Rruga që Orion bëri në orbitë ishte e përbërë nga shtresa të rrezikshme të të grimcave shumë të ngarkuara nënatomike që quhen rripi i Van-Allen, ku inxhinierët e NASA testuan rezistencën kapsulës ndaj rrezatimit kozmik.

Pas ri-hyrjes në atmosferë, kapsula fluturoi pothuajse 30 herë më shpejt se sa shpejtësia e zërit, ndërsa temperatura e mburojës së saj u rrit në 2.200 gradë Celsius.

Kapsula është ndërtuar nga Lockheed Martin. Menaxheri i programit për prodhimin e kapsulës Orion, Michael Hawes, thotë se korporata tashmë është duke punuar në prodhimin e një kapsule tjetër, dhe të dhënat nga prova e djeshme do të jenë shumë të vlefshme:

"Ka shumë zhvillime, por ne do të mësojmë shumë nga ajo që bëmë sot dhe do jetë shumë e rëndësishme për ne kur të marrim të gjitha të dhënat nga kjo provë".

NASA thotë se në të ardhmen, kapsula Orion do të fluturojë në kokën e një rakete më të fuqishme, në Sistemin e Lëshimit në Hapësirë. Në vitin 2018, NASA planifikon të dërgojë kapsulën Orion për një fluturim rreth hënës, ndërsa fluturimi i parë me astronautë në bord është planifikuar të bëhet në vitin 2021.

XS
SM
MD
LG