Lidhje

Nishani propozon Guvernatorin e ri të Bankës


Presidenti njoftoi sot se i ka dërguar parlamentin propozimin për kandidaturën e zotit Genti Sejko, ekspert me një karrierë 20 vjecare në sistemin banker e financiar të vendit

Në Shqipëri, presidenti Bujar Nishani njoftoi sot propozimin e kandidaturës për Guvernatorin e ri të Bankës Qendrore të Shqipërisë. Emri i përzgjedhur është ai i zotit Genti Sejko, ekspert i cili vjen nga radhët e sistemit bankar shqiptar.

Në dekretin dërguar parlamentit, presidenti Nishani shpjegon se ftesës së tij drejtuar të gjithë shtetasve shqiptarë dhe atyre nga diaspora, për të shprehur interesin për detyrën e Guvernatorit të ri të Bankës Qendrore i ishin përgjigjur 42 aplikantë, të cilët iu nënshtruan një proçesi vlerësimi për plotësimin e kushteve dhe kritereve ligjore.

Kreu i shtetit saktëson gjithashtu se “bazuar në listën e kandidatëve që plotësonin kushtet ligjore si dhe me synim arritjen e standardeve më të larta për përzgjedhjen e kandidaturës së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zhvilloi një proçes informimi dhe diskutimi me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe opozitës”.

Në tekstin e dekretit, pasi bën një përshkrim të eksperiencës dhe karrierës së zotit Sejko, presidenti Nishani shprehet se ai është “një kandidat serioz që arrin standartet më të larta të kërkuara për funksionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”.

Zoti Sejko ka një karrierë 20 vjecarë në sistemin bankar dhe financiar të vendit. Ai ka punuar në detyra të ndryshme drejtuese edhe në Bankën e Shqipërisë, por edhe banka të tjera të nivelit të dytë. Aktualisht prej më shumë se katër vitesh ai është nëndrejtor i bankës franceze "Société Générale" në Shqipëri.

Kandidatura e zotit Sejko duhet të marrë tani pëlqimin e parlamentit, ndërkohë që procedura e ndjekur nga zoti Nishani, rrezikon të nxisë polemika. Ndërsa Kushtetuta i njeh Presidentit të drejtën e propozimit të Guvernatorit, ligji për Bankën e Shqipërisë saktëson se Guvernatori është edhe anëtar i Këshillit Mbikqyrës, dhe anëtarët e këtij Këshilli, zgjidhen, tre me propozim të Qeverisë, pesë me propozim të parlamentit, dhe një nga vetë Këshilli. Aktualisht në Këshillin Mbikqyrës janë katër vende bosh. Qeveria ka përzgjedhur tanimë kandidatin që i takon asaj, ndërsa parlamenti është në fazën e përzgjedhjes së dy kandidaturave të veta. Me plotësimin e tyrë është radha e Këshillit të propozojë anëtarin e nëntë. Mbetet për t’u parë nëse mes presidentit dhe shumicës është arritur apo jo një kompromis i mëparshëm, që kandidatura e tij për Guvernator të jetë pjesë e propozimeve edhe si anëtar i Këshillit Mbikqyrës për vendet e mbetura bosh.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG