Lidhje

Shqipëri, kujtohet Lëvizja studentore ‘90


Demokratët festojnë në Qytetin Studenti në Tiranë. Basha “Refuzojmë çdo kthim prapa në të shkuarën”. Rama “Ditë simbol e fuqisë së rinisë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve”

Në Shqipëri, sot u kujtua 8 dhjetori i vitit 1990, kur lëvizja studentore e cila u ngrit kundër regjimit komunist të kohës, coi në njohjen e pluralizimit politik në vend, pas 46 vitesh diktaturë. Partia demokratike e festoi këtë ngjarje në qytetin Studenti, aty ku dhe nisi kundërshtimi i regjimit komunist e ku nuk munguan akuzat ndaj së majtës në pushtet se po synon rikthimin e mendësive të vjetra të së kaluarës. Nga ana e tij kryeministri Edi Rama e kujtoi 8 dhjetorin gjatë një aktiviteti të Asamblesë botërore të Rinisë e mbledhur sot në Tiranë, duke u shprehur se ajo është “një ditë simbol i fuqisë së rinisë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe për të bërë histori”.

Përkujtohet 8 dhjetori
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:46 0:00

Partia demokratike e cila lindi nga lëvizja e studentëve dhe rinisë shqiptare dhjetorin e 24 viteve më parë, organizoi një takim në Qytetin Studenti, prej nga lëvizja e atëhershme detyroi regjimin komunist të kohës të pranonte pluralizimin politik, që shënoi dhe fundin e një epoke të gjatë diktature. Personazhe të asaj kohe, figura politike që sot janë në partinë demokratike, ish kryeministri Sali Berisha dhe kryetari aktual i demokratëve Lulzim Basha folën gjatë për rëndësinë e asaj dite në historinë e vendit, por pa shmangur akuzat politike ndaj shumicës në pushtet

“Të rritur me trashëgiminë e dhjetorit 1990, refuzojmë çdo kthim prapa drejt të vjetrës, drejt të shkuarës, drejt së keqes. Por tendencat e kthimit prapa në mendësitë dhe praktikat e vjetra të sundimit të oligarkisë në vend të sundimit të ligjit, si këto që manifeston dyshja Rama- Meta janë në kundërshtim flagrant me frymën dhe vlerat e Lëvizjes prej nga jemi nisur si vend dhe si shoqëri”, u shpreh zoti Basha.

Ndërsa zoti Berisha përfaqësuesit e sotëm të së majtës i cilësoi si “bijtë e atyre që u rrëzuan nga pushteti në dhjetorin e 90-ës”.

Ndaj deklaratave të tyre, kryeministri Edi Rama reagoi përmes rrjeteve sociale duke shkruar se “Enveri dhe Ramizi i Partisë Demokratike e tregojnë Lëvizjen e Dhjetorit njësoj sic e tregonin Nacionalçlirimtaren Hoxha e Alia! Tragjedi që përsëritet si komedi”, shkruan kryeministri i cili më herët kishte folur për 8 dhjetorin gjatë fjalës së tij në Asamblenë botërore të Rinisë e mbledhur për herë të parë në Tiranë.

Ai e cilësoi atë si “një ditë simbol të fuqisë së rinisë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe për të bërë histori”. Ai tha se “historia botërore njeh shumë lëvizje rinore që, duke lëkundur themelet e sistemeve që konsideroheshin si të pandryshueshëm dhe të pathyeshëm, i kanë hapur rrugën shpresave, ëndrrave dhe mundësive të reja, aty ku deri një sekondë më parë dukej sikur s’kishte rrugë. “E tillë ishte edhe Lëvizja e Dhjetorit 1990, këtu në Shqipëri, që i dha zë ëndrrës për të jetuar në liri dhe në demokraci, kur liria dhe demokracia për atë brez të lindur e të rritur në diktaturë s’mund të ishin asgjë tjetër, përveçse përmasa e një imagjinate të formësuar vit pas viti, pa zë dhe brenda vetvetes”, tha zoti Rama.

Në një tjetër aktivitet, përfaqësuesë të Lëvizjes së Dhjetorit, të shoqërisë civile e politikanë, ndërsa kujtuan ngjarjet e 24 viteve më parë, vunë theksin edhe një herë te nevoja që shoqëria shqiptare të shkëputet një herë e mirë nga e kaluara komuniste, përmes procesit të hapjes së dosjeve të ish shërbimeve famëkeqe të sigurimit dhe lustracionit.

XS
SM
MD
LG