Lidhje

Kultura shqiptare, mes vendeve të BE në Nju Jork

  • Julian Zyla

Rrjeti i Instituteve Kombëtare të Kulturës së Bashkimit Evropian ka dhjetëra degë, në qytete në mbarë botën. Drejtori i institutit Gëte për Amerikën e Veriut dhe njëkohësisht zv/president i këtij rrjeti, Christoph Bartmann, thotë se kjo organizatë luan një rol të rëndësishëm.

“Mendoj se kjo organizatë bën një punë të rëndësishme, pra ta bëjë Evropën më të kuptueshme si një projekt i përbashkët, si një objektiv për t’u arritur. Është shumë interesante sepse ne synojmë të ruajmë individualitetin e vendeve apo institucioneve tona, duke bërë njëkohësisht diçka së bashku,” tha zoti Bartmann për VOA.

Pjesë e rrjetit EUNIC në Nju Jork është tani dhe Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara. Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, paraqiti kandidaturën, duke u bazuar në dy aspekte: faktin se Shqipëria është tashmë vend kandidat në BE dhe identitetin evropian të kulturës shqiptare.

“Jemi evropianë dhe kemi një kulturë, kemi një trashëgimi, një pasuri dhe kemi çfarë të ndajmë. Aq më tepër që Shqipëria ka qenë një vend i mbyllur dhe i izoluar dhe ka shumë aspekte të njohura pak ose të tërësisht të panjohura për t’i ndarë me vendet e tjera, sidomos në një metropol kaq të rëndësishëm, të madh, dinamik e multikultural, siç është Nju Jorku,” tha për Zërin e Amerikës Amb. Ferit Hoxha.

Zoti Hoxha tha se ka në plan që organi që ai drejton të jetë një pjesëmarrës aktiv në rrjetin e Instituteve Kombëtare të Kulturës së BE-së në Nju Jork.

“Unë shpresoj që duke u bërë pjesë formale e këtij rrjeti, ne të kemi mundësi të organizojmë dhe të bashkëorganizojmë aktivitete dhe të shpalosim ato që janë vlerat tona të përbashkëta në Shqipëri, në Kosovë, kudo ku janë shqiptarët. Pra të kemi mundësi të bashkojmë energjitë dhe përpjekjet tona për ta bërë kulturën shqiptare më të pranishme në këtë metropol ku janë të pranishme të gjitha kulturat e botës,tha zoti Hoxha.

Misioni i Shqipërisë në OKB nuk është i vetmi institucion shqiptar në Nju Jork pjesë e rrjetit EUNIC. Një tjetër anëtar është Instituti Shqiptar në Nju Jork, drejtuar nga zoti Dino Korça.

“Albanian Institute në Nju Jork është një organizatë e re, e pavarur. Qëllimi ynë është që të promovojmë artin dhe kulturën shqiptare jo vetëm këtu në Nju Jork, por përmes EUNIC edhe në vendet e Bashkimit Evropian,” tha ai për VOA.

Zoti Korça është tashmë dhe President i rrjetit të Nju Jorkut të Instituteve Kombëtare të Kulturës së Bashkimit Evropian. Ai thotë se ky është një fakt domethënës:

“Unë e shoh zgjedhjen time si president i EUNIC si diçka simbolike, pasi besoj se shqiptarët në Kosovë, apo Shqipëri, jo vetëm që së shpejti do të bëhen anëtarë të BE-së, por do të jenë edhe në role udhëheqëse në fushën e artit, kulturës e fusha të tjera.”

Ky takim në qendrën e Shërbimeve Kulturore të Ambasadës Franceze ishte i pari i udhëhequr nga zoti Korça si presidenti i EUNIC New York, një qytet ku organizata synon të informojë publikun më tepër rreth Evropës dhe Bashkimit Evropian.

“Nju Jorku është një nga qytetet më aktive dhe më të rëndësishme në botë, sa i përket kulturës, kjo gjë dihet. Dhe në shumë aspekte është një qytet shumë evropian, i gdhendur dhe ndikuar nga emigrantë prej vendeve të ndryshme evropiane, të cilët kanë ndikuar në identitetin e tij kulturor. Kjo është një mënyrë që ne të japim kontributin tonë, duke shpjeguar dhe pak më tepër për publikun amerikan se nga vijmë dhe cili është projekti ynë i përbashkët, me anë të Bashkimit Evropian,” thotë zv/presidenti Bartmann.

Në takim u anëtarësua në EUNIC Nju Jork dhe Instituti Arte, si përfaqësues i Portugalisë.

Sipas vetë organizatës, rrjeti EUNIC ka për momentin 93 degë të shtrira në mbarë botën. Ky rrjet synon të promovojë vlerat evropiane dhe të kontribuojë në shumëllojshmërinë kulturore brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG