Lidhje

Reagime ndërkombëtare ndaj raportit për CIA-n


Në objektet amerikane kudo në botë janë forcuar masat e sigurisë, pas publikimit të një raporti të Senatit ku jepen hollësi lidhur me torturat e CIA-s ndaj të dyshuarve për terrorizëm në vitet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2011. Në Programin e CIA-s janë implikuar disa vende aleate me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj raportit ka patur reagime në mbarë botën.

Nxjerrja në dritë e teknikave brutale të CIA-s për marrjen në pyetje gjatë administratës Bush ka bërë që aktivistët e të drejtave të njeriut të kërkojnë ndjekje ligjore për zyrtarët amerikanë të përfshirë.

“Ata që duhen fajësuar janë zyrtarët e lartë amerikanë, që autorizuan këto shkelje. Ata janë të parët që duhen mbajtur përgjegjës për këto krime.”

Këto kërkesa i mbështeti edhe raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe Luftën kundër Terrorzimit.

CIA thotë se marrja në pyetje e të dyshuarve për terrorizëm ndihmoi në parandalimin e sulmeve të tjera pas 11 shtatorit. Raporti i Senatit e vë në dyshim këtë. Një numër aleatësh të Shteteve të Bashkuara janë implikuar në të ashtuquajturat inskenime gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm në objektet e CIA-s.

Ish-presidenti i Polonisë pranoi dje se kishte autorizuar krijimin e një baze të CIA-s në territorin polak, që në atë kohë mendohej se ishte një bazë e vjetër ajrore. Ish-presidenti tha se nuk e dinte se aty torturoheshin njerëz.

“Amerikanët kërkuan një vend ku të mund të kryenin operacionet për nxjerrjen e informacioneve nga persona të gatshëm për të bashkëpunuar. Dhe ne pranuam.”

Një hetim parlamentar i vitit 2010 në Lituani, po ashtu arriti në përfundimin se CIA kishte një bazë në periferi të kryeqytetit Vilnius. Tani ky hetim mund të rihapet.

Në këtë çështje është implikuar edhe Britania. Kryeministri David Cameron tha se ka filluar një hetim.

“Kam besim të plotë se kjo çështje është trajtuar në favor të interesave britanike. Por dua të theksoj se në përgjithësi, përdorimi i torturave është diçka gabuar.”

Shumë të dyshuar për terrorizëm u transferuan në bazën ushtarake amerikane të Gjirit Guantanamo. Mes tyre ishte edhe shtetasi britanik

Moazzam Begg, i cili u lirua pasi qëndroi atje për tre vjet.

Begg tha se shkaku i vrasjes me prerje koke i pengjeve perëndimore nga militantët e Shtetit Islamik, duhet kërkuar tek veprimet e CIA-s.

“ISIS lindi në birucat e Abu Ghraibit, në Irak, gjatë pushtimit amerikan, pikërisht atje e ka zanafillën kjo armiqësi dhe urrejtje.”

Ekziston frika se kërcënimet terroriste ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre do të intensifikohen, mes njoftimeve për hakmarrje nga grupet xhihadiste. Ish ndihmës drejtori i CIA-s Charles E. Allen paralajmëron se ky kërcënim është rritur.

“Po, do të ketë kërcënime ndaj amerikanëve. Njerëzit tanë, identiteti i tyre duhet mbrojtur dhe kam frikë se do të ketë sulme.”

Nëpër ambasadat amerikane në Europe dhe në mbarë botën janë forcuar masat e sigurisë, si masa paraprake kundër sulmeve të mundshme.

XS
SM
MD
LG