Lidhje

Bregu Perëndimor, vdes zyrtari palestinez


Një patolog palestinez tha sot se autopsia tregon se Ziad Abu Ein vdiq nga një goditje që ai pësoi gjatë përleshjes me policinë, por një mjek izraelit tha se vdekja e zyrtarit palestinez është shkaktuar nga një sulm në zemër.

Dje, Ziad Abu Ein dhe palestinezë të tjerë ishin nisur për të mbjellë ullinj si protestë ndaj ndërtimeve izraelite, kur ndodhi konfrontimi me policinë izraelite.
Një video tregon se ai dukej i sëmurë pas përleshjes dhe më vonë vdiq në spital. Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e quajti incidentin një krim që kërkon përgjigje.

"Udhëheqja palestineze po takohet tani për të vendosur se çfarë do të bëjmë dhe unë e them me sinqeritet se të gjitha opsionet janë të hapura për diskutim dhe zbatim".

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu premtoi hetimin e ngjarjes dhe bëri thirrje për qetësi.

"Ne mund ta bëjmë këtë së bashku. Ne duhet të jemi në gjendje ta zgjidhim dhe ta parandalojmë shkallëzimin e dhunës. Thirrjet për intensifikim të dhunës nuk ndihmojnë në uljen e tensioneve. Mendoj se ne duhet të jemi palë përgjegjëse dhe duhet të parandalojmë shkallëzimin e situatës. Jemi duke bërë aq sa mundemi. Do të ishte mirë në qoftë se palestinezët dërgojnë të njëjtin mesazh".

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka shpallur tre ditë zije.

Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry të dielën do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu në Romë, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Izrael dhe territoret palestineze.

Sekretari Kerry po përpiqet t’i nxisë të dyja palët që të qëndrojnë në rrugën e duhur drejt arritjes së një marrëveshjeje për paqe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG