Lidhje

OKB: Shtohen nevojat për ndihma humanitare

  • Lisa Schlein

Kombet e Bashkuara po kërkojnë 16.4 miliardë dollarë për ndihma humanitare për vitin 2015 për të ndihmuar më shumë se 57 milionë njerëz në 22 vende të përfshira nga konfliktet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Schlein njofton për këtë apel global në Gjenevë për ndihma humanitare.

Kombet e Bashkuara thonë se çdo vit nevojat humanitare po shtohen dhe burimet në dispozicion për të përmbushur këto nevoja po pakësohen. OKB vlerëson se rreth 78 milionë njerëz në mbarë botën kanë nevojë për ndihmë. Por për shkak të fondeve të kufizuara, Kombet e Bashkuara kanë ulur numrin e njerëzve që mund të ndihmojnë në 57.5 milionë njerëz më të pambrojtur.

Nën-Sekretarja e Përgjithshme e OKB-së për Çështje Humanitare, Valerie Amos thotë se katër vende, Siria, Sudani i Jugut, Iraku, dhe Republika e Afrikës Qendrore, do të mbeten përparësi e lartë në vitin e ardhshëm.

"70 për qind e kërkesave për fonde janë për këto katër kriza. Por ka shumë emergjenca të tjera që kërkojnë vëmendjen tonë, për shembull, Afganistani, Somalia, Republika Demokratike e Kongos, Birmania, Jemeni. Dhe, në qoftë se shihni se çka po ndodh në ato vende, ju do të kuptoni se këto nuk janë kriza dytësore. Kjo është arsyeja pse ne themi se po përballemi me një nivel të paparë të nevojave për ndihma humanitare".

Zonja Amos thotë se miliona njerëz janë zhvendosur brenda vendeve të tyre dhe në vendet ku ata janë strehuar. Agjencia e OKB-së për refugjatët raporton se vitin e kaluar, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, më shumë se 50 milionë njerëz janë zhvendosur nga konfliktet në botë.

Agjencia e vë në dukje se në vitin 2011, 14 mijë njerëz janë zhvendosur çdo ditë, ky numër u rrit në 32 mijë të zhvendosur në ditë në vitin 2013, dhe këtë vit kjo shifër pritet të jetë më e lartë.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Antonio Guterres, thotë se agjencitë e ndihmave duhet të kenë më shumë fleksibilitet në përdorimin e fondeve, veçanërisht për shumë vende në botë që duket se janë lënë në harresë.

"Ne ende kemi 200 mijë refugjatë sudanez në Sudanin e Jugut për të cilët kemi kërkuar 162 milionë dollarë. Në bazë të parashikimeve tona ne kemi qenë në gjendje të shpenzojmë 75 milionë dollarë deri në fund të vitit. Për këtë krizë janë ndarë vetëm 18 milionë dollarë. Pa një volum masiv të parave të pa përcaktuara, do të ishte e pamundur t'i përgjigjemi krizave të harruara, dhe në botë ka shumë kriza të tilla".

Kërkesa për fonde nuk përfshinë nëntë vende si Saheli dhe Xhibuti. Kombet e Bashkuara në shkurt kanë në plan të lëshojnë një apel të veçantë për ndihma për këto vende.

Në mes të vitit, OKB-ja do të bëjë një rishikim të situatës humanitare dhe do të shohim nëse kërkesat për fonde do të duhet të rishikohen. Zyrtarët e lartë të OKB-së thonë se ata do të duhet të kërkojnë nga donatorët më shumë fonde.

XS
SM
MD
LG