Lidhje

Putin: Ekonomia do të përmirësohet


Presidenti rus Vladimir Putin është duke u përpjekur të sigurojë njerëzit se ekonomia e vendit do të përmirësohet dhe se rubla do të stabilizohet. Ai u shpreh optimist gjatë konferencës së tij të fundvitit për shtyp, ku – pavarësisht retorikës anti-perëndimore – bëri thirrje dhe për një zgjidhje politike në krizën e Ukrainës.

Gjatë konferencës për shtyp, sot, zoti Putin tha se kriza aktuale mund të zgjasë më së shumti dy vjet.

"Pa dyshim, situata aktuale është shkaktuar nga faktorë të jashtëm, por ne gjithashtu kuptojmë se nuk kemi bërë shumë nga gjërat që kishim planifikuar të bënim dhe kishim thënë se do të bënim për të diversifikuar ekonominë, gjatë 20 viteve të fundit."

Zoti Putin tha se rezervat kombëtare të monedhës janë të mjaftueshme për të mbajtur ekonominë në gjendje të qëndrueshme.

Rubla u forcua sot, përpara fjalimit të zotit Putin. Monedha ruse arriti një nivel të ulët rekord të martën, duke bërë që banka qendrore e Rusisë të siguronte bankat dhe kompanitë financiare që do të jepte kapital shtesë nëse është e nevojshme.

Presidenti Putin, gjatë konferencës së tij, foli dhe për Ukrainën, për të cilën tha se duhet të mbetet një entitet politik i vetëm, çka do të thotë se rajonet e saj kryengritëse proruse, nuk duhet të shkëputen.

Zoti Putin sugjeroi që qeveria e Ukrainës dhe rebelët në Ukrainën lindore të arrijnë një marrëveshje për shkëmbim të "të gjithë" të burgosurve të tyre, para Krishtlindjeve.

Ai tha se është i sigurt se Presidenti ukrainas Petro Poroshenko dëshiron sinqerisht një zgjidhje paqësore të krizës, por forca të tjera në Ukrainë nuk kanë të njëjtin synim. Presidenti rus i kërkoi qeverisë ukrainase të përmbushë fundin e një marrëveshje paqeje të arritur në shtator, duke u dhënë amnisti rebelëve dhe duke ofruar të drejta më të gjera për banorët në lindje.

XS
SM
MD
LG