Lidhje

Ngërçi për guvernatorin drejt zgjidhjes


Këshilli Mbikqyrës i Bankës Qendrore propozon për anëtar të tijin zotin Gent Sejko, kandidaturë e presidentit për postin e guvernatorit. Këshilli: Vendimi për të kontribuar në një zgjidhje të pengesës ligjore të krijuar

Në Shqipëri, duket se është kapërcyer ngërci ligjor lidhur me propozimin e presidentit Nishani për emërimin e zotit Gent Sejko në postin e guvernatorit. Këshilli Mbikqyrës i Bankës Qendrore njoftoi sot se i ka propozuar parlamentit që zoti Sejko të zgjidhet anëtar i këtij Këshilli.

Këshilli Mbikqyrës ka shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji për të propozuar një anëtar të tij, menjëherë pasi parlamenti miratoi dorëheqjen e zotit Ardian Civici ditën e enjte. Kjo lëvizje, sic saktësohet dhe në deklaratën e Këshillit, është ndërmarrë “me vullnetin për të kontribuar në një zgjidhje të pengesës ligjore të krijuar në lidhje me procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”.

Ngërçi për guvernatorin drejt zgjidhjes
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Ligji i Bankës parashikon që guvernatori duhet të zgjidhet nga anëtarët e Këshillit mbikqyrës. Këtij moment i kishte mëshuar me forcë edhe kryetari i komisionit të Ekonomisë Erion Brace, ndërsa i kërkoi interpretim Komisionit të Ligjeve për rrugën e zgjedhur nga kreu i Shtetit. Presidenti Nishani këmbënguli që në fillim në një shpjegim të ndryshëm të procedurës për përzgjedhjen e guvernatorit. Por për shumicën ngjan të ketë qenë e pamundur të anashkalohej përcaktimi i Ligjit të Bankës për këtë rast. Dhe mesa duket përplasja është evituar pikërisht nga propozimi tanimë i Këshillit, i cili është qartazi një zgjidhje kompromisi.

Edhe në deklaratën e tij Këshilli nënvizon se e mori këtë hap “duke vlerësuar frymën e konsensusit dhe të bashkëpunimit të krijuar ndërmjet institucioneve kushtetuese të përfshira në procesin e emërimit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë – Presidentit të Republikës, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave – si dhe tre forcave kryesore politike parlamentare në vend, nga shumica qeverisëse dhe nga opozita, siç është konfirmuar edhe nga takimet e anëtarëve të Këshillit me titullarët e këtyre institucioneve”.

Këshilli ka zhvilluar dje dhe një seancë dëgjimore me zotin Sejko pas së cilës, sipas deklaratës, “të gjithë anëtarët vlerësuan se kandidatura përmbush të gjitha kriteret ligjore të përcaktuara në ligjin për Bankën e Shqipërisë për të qenë anëtar i organit më të lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës të institucionit”.

Zoti Sejko ka një karrierë 20 vjecare në sistemin bankar dhe financiar të vendit. Ai ka punuar në detyra të ndryshme edhe në Bankën e Shqipërisë, por edhe banka të tjera të nivelit të dytë. Aktualisht prej më shumë se katër vitesh ai është nëndrejtor i Bankës franceze Societe Generale në Shqipëri.

Kandidatura e tij duhet të marrë tani pëlqimin e parlamentit, fillimisht si anëtar i Këshillit e më pas si guvernator.

XS
SM
MD
LG