Lidhje

Roli i Papës tek marrëveshja me Kubën


Papa Françesku luajti një rol kyç në arritjen e marrëveshjes SHBA – Kubë, e cila u bë publike gjatë kësaj jave. Është suksesi më befasues deri më tani i një sërë përpjekjesh për paqe të Papës.

U kërcye tango në sheshin Shën Pjetër ditën e mërkurë, kur Papa mbushi 78 vjeç.

Por dhuratën më të madhe për ditëlindje ai e bëri ndoshta vetë duke ndërmjetësuar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Kubës.

Papa Françesku foli për herë të parë rreth marrëveshjes ditën e enjte.

“Sot jemi të gjithë të gëzuar pasi pamë se dy vende që ishin larguar nga njëri-tjetri prej vitesh, ndërmorën një hap riafrimi.”

Në lagjen Havana e Vogël, në Miami, disa prej mbështetësve të Papës ishin plot lëvdata.

“Ka bërë vërtet një punë të jashtëzakonshme.”

“Papa arriti atë çka të tjerët nuk kanë mundur ta bëjnë për shumë vite.”

Por, Raymond Molina, një ish-gjykatës në Gjykatën e Lartë të Kubës përpara revolucionit, thotë se Papa u keqpërdor nga klerikët kubanë.

“Peshkopi në Havanë është blerë dhe frikësuar nga presioni i regjimit të Kastros.”

Papa ka bërë përpjekje për paqe edhe në Lindjen e Mesme, dhe ka qenë në kërkim të vendeve të gatshme për të mirëpritur të burgosur nga Guantanamo.

Marrëveshja SHBA-Kubë me siguri do të ndihmojë përpjekjet e tij për reformimin e kishës, thotë nëpërmjet Skype profesori i studimeve katolike Andrew Chestnut.

“Disa nga kundërshtarët më të fortë të axhendës së tij reformuese kanë qenë disa peshkopë të Amerikës. Mendoj se kjo lloj fitoreje popullore e forcon pozicionin e tij.”

Papët janë përfshirë në gjeopolitikat e Amerikës Latine që nga koha kur Aleksandri VI ndau kolonitë e reja ndërmjet Spanjës dhe Portugalisë.

Nëse përpjekjet e këtij pape i japin fund një armiqësie që ka zgjatur mbi gjysëm shekulli, atëherë kjo do të mbahet mend për një kohë të gjatë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG