Lidhje

Refugjatët sirianë dynden në kufi


Në Pikat e Kalimit Kufitar të Shqipërisë me Greqinë ka nisur kthimi i disa mijëra emigrantëve shqiptarë për festat e fundvitit.

Qarkullimi i rënduar në zonat kufitare ka favorizuar trafikun e refugjatëve nga Siria dhe Sudani. Policia e Gjirokastrës ka ndaluar në 24 orët e fundit rreth 90 refugjatë që kishin hyrë ilegalisht nga kufiri jeshil me shtetin grek në territorin shqiptar.

Krahas policisë kufitare shqiptare në operacione janë përfshirë edhe Forcat e repartit special policor “Delta”. Policia e Gjirokastrës tha se refugjatët sirianë e përdorin Shqipërinë si një pikë tranzit. Refugjatët vijojnë të kenë destinacion Malin e Zi , nga ku udhëtojnë për në vendet e tjera europiane.

Viti që po mbyllet shënoi për policinë shqiptare rikthimin e trafikut të qënieve njërëzore me Greqinë , i cili ishte frenuar gati plotësisht pas liberalizimit të vizave të Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian.

Rrjetet e trafikut të emigrantëve shqiptarë që vepronin më parë në zonat ndërkufitare janë riaktivizuar duke u marrë me këtë formë të re të trafikut të refugjatëve nga Siria dhe vendet e tjera aziatike.
XS
SM
MD
LG