Lidhje

Trenat me avull në Bosnje


Bosnia Steam Engine

Bosnia Steam Engine

Një qytet në Bosnje ka rikthyer në punë disa lokomotiva me avull. Trenat e riparuar dhe restauruar me kujdes përdoren për të transportuar qymyrgurin e nxjerrë nga qyteti minator. Ata janë shndërruar tani në një objekt tërheqës për turistë nga e gjithë bota.

Zhurma e trenit buçet mes kodrave. Megjithëse kanë kaluar 66 vjet që nga dita kur u prodhua, lokomotiva me avull vazhdon punën duke tërhequr trenin e ngarkuar me qymyrguri. Ky është ndër trenat e pakët me avull ende në përdorim sot në botë.

Qyteti Banoviçi ka minierën më të madhe të qymyrgurit në Bosnje, si dhe një numër trenash me avull. Për punëtorët që mbushin me lopata furnaltën e lokomotivës, kjo është punë e rëndë, por ata shprehen të kënaqur që kanë arritur ta kthejnë në punë trenin me avull.

Në përfundim të konfliktit të Bosnjes, disa zyrtarë lokalë propozuan zëvendësimin e trenave të vjetër me modele të reja, por interesi i vizitorëve tek këto relike të shekujve të kaluar i bëri autoritetet të ndryshojnë mendje. Sot trenat janë ndër objektet më me interes për vizitorë nga e gjithë bota.

Xhevat Hoxhiç, drejtor i minierës shpjegon:

“Ideja për të rikthyer në punë trenat me avull na lindi nga turistë të huaj, entuziastë të hekurudhave me trase të ngushtë. Kjo filloi pas luftës, nga vitet 1997-1998 dhe që nga ajo kohë kemi rreth një mijë nga këta vizitorë që vijnë përvit”.

Trenat tani janë bërë simbol i qytetit minator. Trenat operohen nga mashinistë lokalë që e kanë trashëguar zanatin:

“Ky zanat trashëgohet nga babai tek djali. Mashinistë të vjetër na kanë mësuar zanatin dhe ne tani ia kalojmë brezit të ri”.

Esad Mujagiç, dispeçer lokal në Banoviçi ndjehet shumë krenar dhe i entuziazmuar sa herë kalon treni. Ai ka një përvojë 33 vjeçare në këtë punë:

“Për ne në këtë zanat është kënaqësi e madhe kur i shohim trenat në punë. Disa njerëz kanë kënaqësi kur shohin makinat në lëvizje, ne na gëzojnë trenat”.

Lokomotiva e prodhuar në Republikën Çeke në vitin 1925 është ende në punë në Banoviçi. Traseja e ngushtë ku lëvizin trenat është ndër më të vjetrat ende në përdorim në Evropë. Relievi i thyer i Bosnjës kërkonte nga inxhinierët austriakë, që e ndërtuan hekurudhën në fillim të shekullit të 20, të përdornin teknologjinë e traseve të ngushta për të përshkuar hapësirat mes maleve.

Sot qyteti i Banoviçit ka edhe kantierin më të madh në Ballkan për riparimin e lokomotivave. Ndërkohë ka plane për të restauruar lokomotiva të tjera me avull vitin e ardhshëm, duke rikthyer mes maleve të Bosnjes epokën e harruar të avullit.

XS
SM
MD
LG