Lidhje

2014-a dhe politika e jashtme e SHBA


Viti 2014 solli disa nga sfidat më të mëdha të politikës së jashtme për Presidentin Barack Obama. Mes tyre ishin Ukraina, rritja e Shtetit Islamik, tërheqja e forcave amerikane nga një Afganistan i paqëndrueshëm, epidemia e Ebolës në Afrikën Perëndimore dhe njoftimi i tij i befasishëm për normalizimin e lidhjeve me Kubën. Le t’i hedhim një vështrim zhvillimeve të politikës së jashtme që po krijojnë një trashëgimi shpesh të cilësuar si të paqartë, komplekse dhe konfliktuale.

Pushtimi i Krimeas nga Rusia, ishte tronditja e parë për administratën e Presidentit Obama. Shtëpia e Bardhë bëri paralajmërime të ashpra dhe vendosi sanksione, por nuk angazhoi trupa për amerikane për një konflikt që Shtëpia e Bardhë e konsideron të rëndësishëm nga ana parimore por jo nga ajo strategjike. Ne mes të vitit dhe ndërsa konfliktet në Irak dhe Siri po intensifikoheshin, politika e jashtme e zotit Obama po kritikohej nga disa që po e përshkruanin si të dobët.

“Në përgjithësi, kritikat ndaj politikës sonë të jashtme kanë pasur lidhje me mospërdorimin e forcës ushtarake. Dhe pyetja që do të bëja unë është se pse të gjithë janë kaq të prirur për të përdorur forcë ushtarake pas një dekade lufte me një kosto të jashtëzakonshme për trupat dhe buxhetin tonë? Dhe çfarë mendojnë këta kritikë se do të arrihej në atë mënyrë?” tha Presidenti Obama.

Kritikat u intensifikuan në gusht. Ndërsa ekstremistët e Shtetit Islamik fituan terren në Siri, presidenti tha se ende po punonte për një plan për t’i luftuar ata. "Ne nuk kemi një strategji," tha ai.

Disa javë pas këtij pohimi, zoti Obama shpalli një plan të fuqishëm, duke urdhëruar dërgimin e qindra trupave në Irak, zgjerimin e fushatës së bombardimeve në Siri dhe megjithëse kundër dëshirës, thellimin e rolit të Amerikës në atë që e quajti një luftë tjetër që do të donte vite që të fitohej. Ishte kjo stepje për t’u angazhuar në luftë që disa herë e ka vënë atë përballë ekipit të tij të sigurisë kombëtare, thotë analisti Michael Rubin.

“Kemi një përplasje mes një presidenti, bindjet politike të të cilit e bëjnë atë që të dojë të shmangë vendosjen e trupave tokësore dhe ushtarakëve profesionistë që sugjerojnë se presidenti është i gabuar në këtë drejtim”.

Megjithë disa fitoreve kundër Shtetit Islamik në Irak, ky grup vazhdon të mbetet një kërcënim i konsiderueshëm në fund të vitit. Krizat në Siri dhe Ukraine nuk janë zgjidhur dhe marrëdhëniet me Rusinë, që zoti Obama u përpoq t’i zbuste kur mori detyrën, janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.

Një nga prioritetet e politikës së jashtme të zotit Obama është ribalancimi i forcave ushtarake amerikane dhe përpjekjeve diplomatike në Azi Paqësor, ku Kina po shënon rritje dhe qëndrimet e saj po bëhen më agresive. Analisti Robert Daly thotë se gjithsesi kjo politikë nuk ka ardhur pa sfida.

“Që kur u shpall ideja e ribalincimit të marrëdhënieve me Azi Paqësorin, vëmendja vazhdon të tërhiqet nga Egjipti, Libia, Ukraina, Siria, ISIL, Ebola. Dhe ka dyshime nëse ky ribalancim po kryhet”.

Mes sukseseve të tij, Presidenti Obama ka radhitur vendosjen e qindra trupave për të ndihmuar në përpjekjet për të luftuar Ebolën në Afrikën Perëndimore.

Dhe në fund të vitit, presidenti mori një vendim historik për normalizimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me kundërshtaren e hershme ideologjike, Kuba, pas më shumë se gjysmë shekulli:

“Këta 50 vjet kanë treguar se izolimi nuk ka funksionuar. Ka ardhur koha për një qëndrim ndryshe”.

Presidenti Obama shpreson që 2015-a të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me një botë që në 2014 u bë gjithnjë e më komplekse.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG