Lidhje

NATO dhe Rusia


Qëndrimi më agresiv ushtarak i Rusisë në Evropë gjatë vitit të fundit e ka nxitur NATO-n të ndërmarrë hapa të rinj për forcimin e mbrojtjes, dhe siç thonë analistët, i ka ofruar organizatës një mision të ri. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Al Pessin, njofton nga Londra.

Ndryshimi në marrëdhëniet NATO-Rusi lindi nga protestat në Ukrainë, të cilat çuan në largimin e presidentit pro-rus të këtij vendi. Rusia dërgoi trupa dhe operativë në rajonin e Krimesë, të cilin e aneksoi me forcë. Në vazhdim, Rusia mbështeti separatistë në dy rajone të Ukrainës lindore, duke shkaktuar një luftë që po vazhdon prej disa muajsh.

Ndërkohë, luftanije dhe avionë rusë u afruan së tepërmi në zona të vendeve anëtare të NATO-s dhe vende të tjera perëndimore, me veprime të shpejta dhe agresive të Moskës, të papara që nga Lufta e Ftohtë.

“Mendoj se udhëheqësit e NATO-s duhet t’i ngrenë një dolli Vladimir Putinit ndërkohë që viti po mbyllet”, thotë Nick Witney, një ish-zyrtar i mbrojtjes britanike dhe i Bashkimit Evropian, i cili tani punon tek Këshilli Evropian i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë.“Një NATO e shëndetshme ka nevojë për kërcënimin rus, dhe zoti Putin u tregua i pamend që e ofroi me bollëk.”

Zoti Witney thotë se veprimet e presidentit rus kanë rigjallëruar NATO-n, duke frymëzuar ndërmarrjen e një sërë hapash. Ato përfshijnë më shumë manovra ushtarake në Ukrainën Perëndimore, vendosjen e më shumë trupave në Poloni dhe në shtetet balltike, një rikonfirmim se do të mbrojë të gjitha vendet anëtare, si dhe krijimin e një force të re të reagimit të shpejtë.

Në Institutin Mbretëror të Londrës, Malcolm Chalmers thotë se Presidenti Putin synonte të zhbënte arritjet e NATO-s që nga viti 1990, por veprimet e tij kanë patur efektin e kundërt.

“Rusia po kërkon pikat e dobëta. Po rrëmojnë për boshllëqe në armaturën e NATO-s. Po shikojnë për çarje brenda NATO-s. Dhe sigurisht që vendet anëtare të NATO-s besojnë se nëpërmjet solidaritetit me njëri-tjetrin, kanë më shumë shanse për të parandaluar çdo veprim të Rusisë.”

Mbi të gjitha, thotë zoti Chalmers, Presidenti Putin ka larguar ish-mikeshën e tij më të mirë në Evropën Perëndimore, Kancelaren gjermane Angela Merkel.

“Gjatë gjithë kësaj krize, Kancelarja Merkel është përpjekur më shumë se çdo udhëheqës tjetër perëndimor për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Zonja Merkel po kërkonte një lloj kompromisi. Dhe deri tani, Putin nuk ka dhënë shenja qetësimi.”

Ndërkohë, anëtarët e NATO-s dhe vende të tjera ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, të cilat në kombinim me rënien e çmimit të naftës, eksportin kryesor rus, ka shkaktuar një rënie prej 50% të vlerës së rublës. Ekspertët thonë se ekonomia ruse do të rrëshkasë drejt një rënieje të thellë vitin tjetër.

“Këto janë zmbrapsje të mëdha strategjike për Putinin. Nëse ka patur shansin që të jetë një shahist i mirë, atëherë tani gjithçka po shkon keq për të.”

Kjo nuk do të thotë se Presidenti Putin do të tërhiqet, madje disa ekspertë thonë se këto probleme mund ta armiqësojnë më shumë. Sidoqoftë, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry është shprehur se pozicioni i Rusisë në Ukrainën lindore ka filluar të ndryshojë. Ai tha se Rusia ka “filluar të bëjë lëvizje konstruktive” që mund të çelin rrugën drejt zgjidhjes së konfliktit dhe uljes së tensioneve.

XS
SM
MD
LG