Lidhje

Turizmi në Shtetet e Bashkuara


Numri i turistëve në botë kalon shifrën 1 miliardë në vit, dhe OKB-ja thotë se të ardhurat nga shpenzimet e tyre ndihmojnë ekonominë globale. Shumë prej këtyre turistëve vijnë nga klasat e mesme të Brazilit, Indisë dhe Kinës. Shtetet e Bashkuara patën 1.8 milionë vizitorë kinezë vitin e kaluar, dhe po rrisin përpjekjet për të tërhequr më shumë.

Këngëtarja e muzikës country Rosanne Cash u këndon pjesëve të Shteteve të Bashkuara që vizitorët nuk kanë mundur t’i shikojnë nëpër filma dhe nuk i kanë njohur nëpërmjet muzikës. Reklamimi është pjesë e një fushate turizmi të qeverisë dhe industrisë për të tërhequr vizitorët e mundshëm që të vijnë në SHBA.

Fushata “Brand USA” drejtohet nga Chris Thompson.

“Në SHBA ka shumë më tepër gjëra se sa mund të dinë njerëzit. Për çdo interesim që mund të kenë ne mund t'ua plotësojmë në atë mënyrë që vetëm Shtetet e Bashkuara dinë ta bëjmë,"

Këto përpjekje online dhe në televizion janë të rëndësishme pasi industria e turizmit mbështet drejtpërdrejt 8 milionë vende pune në SHBA, dhe ndikon miliona vende pune të tjera.

Fushata promovon shumë qytete, përfshirë Nju Jorkun. Në cepin tjetër të SHBA-së, një reklamë në gjuhën kineze promovon bukurinë, kulturën, dhe dyqanet në San Francisco.

Turistët kinezë shpenzojnë rreth 6 mijë dollarë për një vizitë në SHBA, një nivel më i lartë se i vizitorëve nga vende të tjera. Sipas presidentit të agjensisë “Lion Tours”, Daniel Shen, kjo vjen falë rritjes së qëndrueshme të ekonomisë kineze, forcimit të monedhës, dhe shtimit të pasurisë.

“Blerjet janë pjesë e pandarë e jetës për kinezët. Kur një anëtar i familjes udhëton jashtë, gjithnjë sjell diçka me vete në kthim për familjen, miqtë, kolegët.”

Ai thotë se një marrëveshje e arritur ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara e ka bërë më të lehtë që kinezët të vijnë në SHBA, dhe ka gjithnjë e më pak ankesa për vizat, apo rradhët e gjata të pritjes në aeroport, prej të cilave bezdiseshin vizitorët.

Vizitorë të tillë në Washington krijojnë edhe një ide më të saktë për Shtetet e Bashkuara.

“Jo e gjithë Amerika është si në filmat e Hollivudit, ku në perëndimin e egër njerëzit mbajnë armë që i përdorin nëpër rrugë.”

Në vend të kësaj, përdoren aparatet fotografikë. Zyrtarët e turizmit po përgatisin një film tridimensional të teknologjisë IMAX, për të treguar parqet e Amerikës. Ata shpresojnë ta përfundojnë deri në muajin gusht 2016, me rastin e 100 vjetorit të këtyre parqeve të mbrojtura.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG