Lidhje

Modeli i zemrës me printer tre dimensional


3D printed heart
3D printed heart

Printimi tre-dimensional po gjen tani zbatim në kardiologji, jo për të krijuar një zemër të re, por një model që i ngjan asaj në shumë drejtime. Teknologjia e re i ndihmon kirurgët ta vlerësojnë më mirë zemrën e pacientit para operacionit.

Kjo foshnje e vogël sapo i është nënshtruar operacionit në zemër. Kardiologu Mathew Bramlet i tregon prindërve modelin me printer tre-dimensional që i shërbeu si udhëzim për operacionin.

“Ky është në fakt modeli i zemrës që mbajmë në duar…E shikoni vrimën, pikërisht në mesin e dy ndarjeve?”

Kirurgët, zakonisht përdorin imazhet dixhitale për eksplorimin e zemërs.

Mathew Bramlet krijon modele të sakta nga këto imazhe në Kolegjin e Mjekësisë në Universitetin e Illinoit, ku ai drejton programin MRI të sëmundjeve të zemrës. Në një takim të Shoqatës Amerikane të Zemrës ai tha se modelet e krijuara me printer tre-dimensional mund të zbulojnë difekte, të cilat nuk janë të dukshme tek imazhet e zakonshme.

“Duke e ditur se zemra kishte difekt, ne nuk mund ta tregonim këtë përmes imazheve të zakonshme. Sigurisht, që përmes imazheve tre-dimensionale ne mundëm ta konfirmojmë difektin dhe ta ndryshonim mënyrën e operimit. Kjo na kurseu kohë dhe në të ardhmen kjo metodë do të na orjentoijësiç duhet.

Ja si funksionon: procedurat e njohura si Ketsken, MRI dhe të dhëna të tjera, dërgohen tek një printer tre-dimensional, për të krijuar një lloj modeli të zemrës, sikurse një model allçie, apo qeramike. Printeri e paraqet zemrën të shtresëzuar.

Dr. Bramlet është i mrekulluar nga detajet e zemrës së vogël.

“Ka thuajse përmasat e një veze dhe është vetëm zemra e një foshnjeje! Unë e di se kirurgët bëjnë një punë të shkëlqyer, por kur shohin modelin, ata orjentohen më mirë.”

Kardiokirurgia Kathy Magliato u bind nga ato që pa. Ajo thotë se e mirëpret modelin tre-dimensional, si një lehtësi të re në zbatimin e profesionit të saj.

“Fakti që unë mund të kem këtë strukturë tepër të komplikuar e cila ofron mundësi pafund, që i ngjan anatomisë së organit, të cilën unë mund ta mbaj në dorë dhe mund të planifikoj operacionin… për mua kjo është një mundësi për të kryer siç duhet operacioni dhe për të shpëtuar jetë njerëzish.”

Mathew Bramlet vazhdon ta eksplorojë teknologjinë e re dhe po bashkëpunon me Insitutin Kombëtar të Shëndetit për krijimin e biblioteke me pamje tre-dimensionale të organeve, ku të përfshihen modele dhe imazhe nga të cilat të mund të mësojnë mjekët e tjerë.

XS
SM
MD
LG