Lidhje

Dialogu mes dy Koreve


Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un thotë se është i hapur për zgjerimin e "dialogut dhe bashkëpunimit" me rivalin e vendit e tij, Korenë e Jugut.

Gjatë një fjalimi tradicional sot në Ditën e Vitit të Ri, udhëheqësi i Koresë së Veriut tha se do të shqyrtojë rifillimin e "takimeve të ngecura të nivelit të lartë" me Seulin.

Nuk është e qartë se në çfarë niveli do të mund të zhvillohen bisedimet e propozuara nga udhëheqësi koreanoverior.

Propozimi vjen pasi Koreja e Jugut bëri këtë javë një ofertë për mbajtjen e takimeve të nivelit të lartë me Korenë e Veriut në janar.

Ministri koreanojugor i Bashkimit Ryoo Kihl-jae sot mirëpriti komentet e zotit Kim, duke thënë se në qoftë se udhëheqësi i Koresë së Veriut është "i sinqertë", atëherë ai duhet të pranojë ofertën e Koresë së Jugut për bisedime.

Takimi i fundit i nivelit të lartë mes dy Koreve u mbajt në shkurt të vitit të kaluar. Dy Koretë në tetor ranë dakord për të rifilluar dialogun, por që atëherë nuk ka patur asnjë lëvizje për fillimin e tij.

Bisedimet tradicionalisht kanë mbuluar fusha bashkëpunimi, si rifillimi i bashkimit të familjeve të ndara nga Lufta Koreane e viteve 1950.

XS
SM
MD
LG