Lidhje

Kongresi dhe negociatat me Iranin


Përpjekjet e Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry për të zgjidhur krizën bërthamore të Iranit, do të vazhdojnë edhe në vitin 2015 pasi Irani dhe gjashtë fuqi botërore nuk arritën të bien dakord para se të skadonte afati i nëntorit. Megjithatë, politika e brendshme amerikane mund t’i ndërlikojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje edhe vitin që vjen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Pam Dockins njofton:

Sekretari i Shteti John Kerry:

“Shpresoj që takimi të sjellë rezultate”.

Shtator 2013. Sekretari i Shtetit John Kerry tingëlloi optimist në takimin e tij të parë zyrtar me Ministrin e Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif.

Ata diskutuan për programin bërthamor të Iranit.

“Tani, duhet të shohim a mund të bëjmë realitet fjalët këto që po themi, në mënyrë që të ecim përpara”.

Që atëherë, dy kryediplomatët janë takuar shumë herë ndërsa negociatorët për Iranin dhe pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plus Gjermania punojnë për një marrëveshje për kufizimin e aktivitetit të pasurimit bërthamor të Iranit.

Irani thotë se synimet e tij bërthamore janë paqësore. Disa fuqi bërthamore shqetësohen se Irani mund të doje të prodhojë armë bërthamore.

Marrëveshja do ta lehtësonte Iranin nga sanksione paralizuese.

Por pas një sërë takimesh mes janarit dhe qershorit, negociatorët i zgjatën takimet deri në 24 nëntor.

Dhe muajin e kaluar u shtynë përsëri.

“Këto bisedime nuk do të bëhen më të lehta, vetëm sepse po i shtyjmë. Ato kanë qenë të vështira. Dhe do të mbeten të tilla”.

Zoti Zarif lë të kuptohet se ekziston një pengesë madhore.

“Pengesa kryesore ishte një mosbesim i thellë dhe reciprok”.

Negociatorët shpresojnë tani të arrijnë një marrëveshje deri në korrik.

Por përpjekjet e tyre mund të pengohen nga ndryshimi në përbërjen politike të Kongresit. Senati i ri i kontrolluar nga republikanët mund të jetë më pak i prirur t’i heqë sanksionet menjëherë nëse arrihet një marrëveshje bërthamore, thotë Robert Einhorn i Institutit Kërkimor Brookings.

“Administrata e Presidentit Obama beson se me Kongresin e ri që fillon punën në janar, nuk mund të shkojë menjëherë t’u kërkojë një votim për të hequr sanksionet. Ata besojnë se do të kenë argumenta më të forta nëse Agjencia për Energjinë Bërthamore arrin në përfundimin se Irani po zbaton kushtet”.

Ai thotë gjithashtu se ligjvënësit mund të humbasin durimin nëse negociatat zvarriten.

“Anëtarët e Kongresit mund të duan të imponojnë sanksione shtesë. Dhe kjo mund të ketë një efekt dëmtues”.

Zoti Kerry thotë se megjithëse negociatorët ende kanë “mosmarrëveshje të konsiderueshme”, ata besojnë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse për shqetësimet për programin bërthamor të Iranit, është ende e mundur.

XS
SM
MD
LG