Lidhje

Frikë për më shumë ngërç politik në vitin 2015


2014 ishte një vit i vështirë politik për presidentin amerikan Barak Obama dhe një vit shumë i mirë për Partinë Republikane. Fitoret e republikanëve në zgjedhjet për Kongresin në mes të mandatit, të zhvilluara në nëntor u dhanë atyre kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve për dy vitet e ardhshme, duke e përgatitur terrenin për më shumë konfrontime dhe ngërç politik në dy vitet e fundit të mandatit të presidentit Obama. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim ngjarjeve të vitit 2014 dhe sfidave politike të vitit 2015.

Presidenti Obama dhe familja e parë ndriçuan Pemën Kombëtare të Krishtlindjeve, një moment i mirëpritur pauze në një vit politikisht të vështirë për presidentin.

Republikanët morën kontrollin e Senatit në zgjedhjet e nëntorit dhe në janar do të kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit.

Reforma në sistemin e imigracionit do të jetë një çështje e rëndësishme në vitin 2015 ashtu siç ishte në vitin 2014, dhe presidenti është i vendosur të mos heq dorë nga vendimi i tij për të mbrojtur nga deportimi miliona emigrantë pa dokumenta.

"Derisa Kongresi ta zgjidhë këtë problem me një ligj dhe në qoftë se ju keni lidhje të thella me këtë vend, jeni të gatshëm të zbatoni ligjin dhe do të bëni atë që duhet, atëherë ju nuk duhet të shqetësoheni nga deportimi ose ndarja nga fëmijët tuaj".

Republikanët shpresojnë t’u tregojnë votuesve në vitin 2015 se ata mund ta drejtojnë Kongresin, thotë se Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner.

"Sigurisht mundësia për t'i shërbyer popullit amerikan është gjithmonë një nder i veçantë. Është një nder edhe më i madh ta bësh atë në një kohë kur vendi ynë përballet me sfida të mëdha. Ne jemi të gatshëm dhe mezi presim të fillojmë punën".

Kontrolli i Kongresit nga republikanët në dy vitet e fundit të mandatit të presidentit Obama ka të ngjarë të çojë në më shumë ngërç partiak, thotë strategu republikan Phillip Stutts.

"Unë gjithashtu mendoj se do të ketë një periudhë të mirë por të kufizuar kohore që do të zgjasë deri në fillim të vitit 2015. Pas njoftimeve të kandidatëve potencialë për të hyrë në garën për president, atëherë unë mendoj se do të kemi një luftë të hapur politike. Askush nuk do të shkojë mirë me njëri-tjetrin dhe në Uashington përsëri do të kemi një situatë politike që pothuaj të gjithë e urrejnë".

Republikanët besojnë se ata kanë një shans të mirë për të marrë përsëri kontrollin e Shtëpisë së Bardhë në zgjedhjet e vitit 2016, thotë eksperti i Universitetit të Çikagos, William Howell.

"Mendoj se çmimi i madh do të ishte fitorja e garës presidenciale të vitit 2016. Dhe ata mendojnë se kjo mund të bëhet nëse ata mund ta lidhin Hillary Clintonin me administratën e presidentit Obama".

Gjatë vitit 2015 vëmendja gjithnjë e më shumë do të përqendrohet në politikat presidenciale, duke përfshirë kandidaturën e pritshme të demokrates Hillary Clinton.

"Kush është në anën tuaj? Kush kujdeset për ju kur ju do të keni nevojë? Kush punon për ju?"

Zonja Clinton do të duhet të fitojë votat e disa demokratëve liberalë të tërhequr nga populizmi ekonomik i senatores Elizabeth Warren nga shteti i Masaçusetsit.

"Wall Street-i është në gjendje shumë të mirë. Drejtuesit e kompanive të mëdha po fitojnë miliona dollarë ndërsa familjet në mbarë vendin po ndeshen me vështirësi. Ne duhet ta bëjmë këtë qeveri të punojë për popullin amerikan".

Ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush është duke eksploruar mundësinë e hyrjes në garën presidenciale. Ai mund të jetë një kandidat i fortë në zgjedhjet paraprake të republikanëve ku pritet të marrin pjesë shumë kandidatë.

"Unë besoj në reformën kur gjërat nuk funksionojnë, unë besoj në qeveri të kufizuar, dhe unë besoj se liria është motori i një vendi të suksesshëm".

Një pjesëmarrje e mundshme e Jeb Bushit në garën presidenciale hedh bazat për një ri-përballje të familjeve Bush-Clinton në zgjedhjet e vitit 2016, edhe pse të dy ata mund të përballen me kundërshtarë të fortë në zgjedhjet e tyre partiake.

XS
SM
MD
LG