Lidhje

Anija e djegur greke, nxirren kutitë e zeza


Hetuesit italianë kanë nxjerrë kutitë e zeza ku janë regjistruar komunikimet nga trageti që u dëmtua nga flakët pranë brigjeve të Greqisë.

Autoritetet po përgatiten të kontrollojnë mjediset e brendshme të tragetit për trupa të tjerë, pasi mendohet se në anije kishte një numër imigrantësh të paligjshëm që nuk figurojnë në dokumentacionin e tragetit.

Ndërkaq, agjencia italiane e lajmeve ANSA njofton se katër zyrtarë të tjerë të trafikut detar janë nën hetime zyrtare lidhur me incidentin që la të paktën 11 të vdekur.

Anija e djegur e kompanisë Norman Atlantic ka mbërritur tashmë në portin e Brindizit.

"Anija mbërriti në ora tetë të mëngjesit dhe tani po i afrohet portit të Brindizit. Prokurori do të vijë për të bërë inspektimin së bashku me zjarrfikësit", shprehet pronari i kompanisë së rimorkimit “Barretta”.

Personi i parë që do të shkelë në anije do të jetë Ettore Cardinali, një prokuror i Barit, i cili është duke hetuar shkaqet e zjarrit që filloi më datë 28 dhjetor në kuvertën e poshtme të anijes.

Zoti Cardinali do të ndihmohet nga një ekip zjarrëfikësish dhe anëtarë të rojes bregdetare.

Inspektimi mund të ndihmojë për qartësimin e shifrave të personave të humbur dhe rreth dyshimeve për prezencë emigrantësh të paligjshëm.

Greqia dhe Italia kanë publikuar shifra krejt të ndryshme për numrin e pasagjerëve dhe ekuipazhit që nuk janë gjendur ende për shkak të zjarrit që ka vrarë të paktën 11 persona.

Një prokuror italian tha se 98 persona nuk gjenden, ndërkohë që Greqia e ul këtë shifër në 18 dhe e cilëson listën e Italisë si të gabuar dhe të mbushur me dublikate.

Është madje tërësisht e paqartë se sa persona gjithsej ndodheshin në bordin e anijes së firmës Norman Atlantic që mori zjarr ditën e dielë ndërsa udhëtonte nga Greqia drejt Italisë.

Sipas Rojes Bregdetare të Italisë, 477 persona janë shpëtuar.

XS
SM
MD
LG