Lidhje

Reagime mbi kërkesën palestineze për anëtarësim në GJNP


Shtetet e Bashkuara thonë se vendimi i Autoritetit Palestinez për t’iu bashkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale nuk përmirëson aspiratat e tij për një shtet të pavarur.

Një zyrtar izraelit thotë se Izraeli ka vendosur të ngrijë rreth 125 miliona të ardhura nga taksat që u mbledh palestinezëve, si përgjigje ndaj përpjekjeve palestineze për t’u anëtarësuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Palestinezët mbështeten tek transferimi i këtyre të ardhurave për shpenzimet qeveritare dhe për pagesat e punonjësve të administratës. Veprimi izraelit vjen një ditë pasi palestinezët paraqitën dokumentat në OKB për t’u anëtarësuar në Gjykatë, që të mund të kërkojnë ngritjen e akuzave për krime lufte ndaj Izraelit.

Nëpërmjet anëtarësimit në këtë gjykatë, palestinezët do të kërkojnë ngritjen e akuzave për krime lufte ndaj Izraelit.

Ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, thotë se paraqitja e një aplikimi për anëtarësim në Gjykatën Ndërkombëtare Penale është e nevojshme për të vendosur drejtësi.

“Ky është një hap shumë domethënës që do ta ndërmarrim për të kërkuar drejtësi nëpërmjet një alternative ligjore. Është një alternativë që synon vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat që janë vrarë nga Izraeli, që është fuqia pushtuese.”

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas nënshkroi dokumentat pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së rrëzoi këtë javë një draft-rezolutë që do të vendoste një afat tre-vjeçar për krijimin e një shteti palestinez në tokat e pushtuara nga Izraeli pas luftës së vitit 1967.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG