Lidhje

Gjenden 4 trupa të tjerë nga avioni indonezian


Zyrtarët e agjencisë AirAsia thonë se janë gjetur sot edhe katër trupa të tjerë nga Deti Java, ndërsa ekipet indoneziane të shpëtimit vazhduan kërkimet për mbetjet e avionit të rrëzuar që u zhduk para një jave.

Moti i keq ka penguar përpjekjet për të gjetur shumicën e 162 njerëzve që besohet të kenë humbur jetën. Ujrat e turbullta detyruan polombarët të ndërprisnin përpjekjet e tyre për nxjerrjen e pjesëve të gjetura të avionit.

Kreu i Operacioneve Kombëtare të Kërkim Shpëtimit në Indonezi, Bambang Soelistyo tha se moti detyroi polombarët të ndërprisnin kërkimet.

"Ata u zhytën në ujë por dukshmëria në fund të detit ishte zero, pra errësirë e plotë, dhe kishte baltë. Edhe erërat me shpejtësi nga 5 deri në 10 kilometra për orë janë problematike. Për shkak të këtyre kushteve, përpjekjet e polombarëve përkohësisht janë pezulluar, ata do të përpiqen të përdorin mjete të telekomanduara për kërkime''.

Ekipet e shpëtimit po përpiqen t’i afrohen asaj që ata besojnë se është trupi i avionit për të nxjerrë trupat dhe kutitë e zeza.

Pas nxjerrjes së të paktën 31 trupave, dhe shumë të tjerëve që ende nuk janë gjetur, disa familje të viktimave sot kërkuan ngushëllim në kishë, një javë pasi avioni indonezian u zhduk nga radari ndërkohë që po udhëtonte në mot të keq.

"Ne lutemi që familjet që po përjetojnë këtë fatkeqësi të marrin forcë nga Perëndia dhe t’i dorëzojnë zemrat e tyre te Perëndia. Ata duhet të besojnë se Zoti është i madh edhe në këtë situatë të pakëndshme".

Ndërkohë, autoritetet indoneziane kanë pezulluar përkohësisht fluturimet e kompanisë AirAsia nga Surabaya në Singapor sepse linja ajrore nuk kishte leje për të fluturuar në këtë linjë të dielave - ditën në të cilën u rrëzua avioni.

XS
SM
MD
LG