Lidhje

Republikanët në Kongres


Kjo është java kur në Uashington bëhet kalimi i pushtetit, ndërsa republikanët marrin kontrollin e Senatit kur të mblidhet Kongresi i ri. Me shumicën në të dy dhomat e legjislativit, republikanët përballen me një mision të dyfishtë: të respektojnë bindjet e tyre, ndërsa bashkëpunojnë njëkohësisht me presidentin demokrat Barack Obama gjatë dy viteve të fundit të mandatit të tij.

Ata erdhën në pushtet në një valë elektorale. Bëhet fjalë për republikanët që do bëjnë betimin si senatorë.

“Ne po shkojmë që të rregullojmë një Uashington që ka humbur lidhjen me realitetin dhe ka mbetur prapa”.

Mes atyre që do të thonë fjalën e tyre në Kongres, është senatori i zgjedhur Thom Tillis që thotë se bllokimi kronik do të zbutet nën një udhëheqje republikane të koordinuar.

“Aftësia për të kaluar çështjet nga Dhoma e Përfaqësuesve në Senat dhe pastaj tek presidenti, është diçka që nuk e kemi parë prej disa vjetësh. Duke u përqendruar tek kthimi i funksionalitetit të Kongresit, mund të punojmë për përmirësimin e ekonomisë”.

Por programi legjislativ republikan është i mbushur me nisma për të zhbërë, kufizuar apo kthyer mbrapsht, arritjet me të cilat Presidenti Obama krenohet, si reforma e sistemit shëndetësor. Ndërsa Presidenti shpreh vullnetin për të punuar me republikanët...

“Ajo që do populli amerikan është që ne të punojmë këtu në Uashington”.

Nënpresidenti Joe Biden thotë se Ligji për Kujdesin Shëndetësor po funksionon sipas planit.

"Më në fund i kemi dhënë fund debatit në këtë vend për pyetjen nëse sigurimet shëndetësore janë një e drejtë apo privilegj. Ne mendojmë se gjithkush në Amerikë ka të drejtën të kenë sigurime të përshtatshme shëndetësore dhe ligji për kujdesin shëndetësor ua jep këtë të drejtë”.

Shumë republikanë janë gjithashtu kundër urdhrave të fundit ekzekutivë të presidentit në favor të miliona imigrantëve të paligjshëm dhe për rishikimin e marrëdhënieve diplomatike me Kubën. Sido që të shpalosen këto beteja politike këtë vit, republikanët thonë se po përgatiten për garën e ardhshme presidenciale. Ja ç’thotë senatori i zgjedhur Ben Sasse.

“Ne duhet të demonstrojmë aftësinë për të qeverisur, por gjithashtu duhet të pranojmë se sfidat e mëdha me të cilat përballet ky vend nuk do të zgjidhen në 24 muajt në vazhdim. Duhet të përgatisim terrenin për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016”.

Edhe demokratë si senatori Chuck Schumer, i kanë sytë tek cikli i ardhshëm zgjedhor.

“Nëse përcjellim një mesazh të fuqishëm ekonomik, që i drejtohet klasës së mesme, jo vetëm që do të sjellim unitet në partinë tonë, por do të kemi rezultate pozitive në 2016”.

Kjo javë do të përqendrohet tek aspekti ceremonial i kalimit të pushtetit në Kongres. Dhe më pas fillon puna e vështirë e qeverisjes.

XS
SM
MD
LG