Lidhje

Aktivistë kundër korrupsionit në Spanjë


A man shouts slogans against corruption during a protest outside Madrid.

A man shouts slogans against corruption during a protest outside Madrid.

Aktivistët, të cilët takohen në zyrat e Xnet - një platformë jo-fitimprurëse në internet - duan që dhe të tjerë jashtë Spanjës të ndjekin shembullin e tyre. Platforma Xnet është frymëzuar nga Wikileaks, që publikon në internet informacione sekrete.

Por kjo organizatë ka shkuar më tej, duke punuar në tre drejtime: aktivizëm, politikë dhe përmes gjykatave.

Simona Levi, një 48-vjeçare e lindur në Itali, themeloi Xnet në vitin 2008 me synimin për të mbrojtur lirinë kulturore. Por projekti ndryshoi rrënjësisht në maj të vitit 2011, kur kriza ekonomike që përfshiu Spanjën shkaktoi të ashtuquajturën lëvizja "Indignados".

Dhjetëra mijëra njerëz, shumica prej tyre të rinj, dolën në rrugë për të kërkuar më shumë transparencë zyrtare dhe ndryshime në mënyrën e funksionimit të institucioneve.

Njerëz si aktivisti kibernetik Sergio Salgado u regjistruan në projektin Xnet. Krijimi i një platforme në internet për ankesat e qytetarëve ka dhënë fryte, duke ekspozuar disa nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në Spanjë. Ata marrin rreth 60 raportime për dyshime shkeljesh çdo javë.

"E gjithë kjo legjendë mbi hacker-at që hyjnë në sistemin kompjuterik të një kompanie të caktuar dhe vjedhin informacion është më shumë një mit i krijuar nga Hollywoodi sesa një shembull mbi mënyrën e vërtetë se si ne punojnë për të siguruar qasje të lirë në informacion," shpjegon Salgado.

Në një kohë kur po zhvillohen hetime të shumta zyrtare për raste korrupsioni që prekin partitë politike kryesore të Spanjës dhe anëtarë të monarkisë, me daljen në dritë të marrëdhënieve të dyshimta mes disa figurave udhëheqësish publikë dhe biznesmenëve, shumë punonjës të qeverisë janë drejtuar tek kjo platformë si një mënyrë e sigurtë për të ekspozuar parregullsi në bazë të dokumenteve zyrtare.

Mes sukseseve të Xnet është zbulimi i dokumenteve që shërbyen si prova kundër zyrtarëve të lartë të grupit bankar Bankia, që mori fonde publike për t’i shpëtuar falimentimit, të cilët përdornin karta krediti të padeklaruara nga banka duke shpenzuar deri në 15 milionë euro për sende personale.

Në zyrat e organizatës Xnet, në Barcelonë, rreth pesë deri në 10 njerëz takohen çdo ditë, duke falur kohën e lirë për të dhënë kontributin e tyre. Por vetëm aktivistët e regjistruar si gazetarët mund të lexojnë emailet nga njerëzit apo punonjësit publikë, sepse ligji spanjoll mbron të drejtën e tyre profesionale për të mos dhënë identitetin e informatorve në gjykatë.

Anëtarët e stafi përzgjedhin mesazhet që cilësohen me rëndësi dhe i dërgojnë në një adresë emaili të dytë ku anëtarët e tjerë të Xnet-it mund t’i lexojnë pa parë identitetin e dërguesit origjinal.

Shumica e informacionit që ata mbledhin shkon në media dhe informatorët mund të zgjedhin të mbetet anonim ose të japin emrin.

"Shekulli i 21-të është duke zgjeruar kuptimin e transparencës. Sot, qytetarët duan të dinë se çfarë po ndodh në çdo aspekt të jetës së tyre, për të gjitha vendimet që janë duke u ndërmarrë në nivele të ndryshme si ato politike, ekonomike, etj. dhe për të arritur këtë, ata janë duke përdorur teknologjitë e reja," thotë Eva Moya, analiste e sigurisë në internet.

Një aspekt që e dallon Xnet nga Wikileaks është se organizata mund të ndërmarrë veprime ligjore në mbrojtje të një ankese.

Bashkëthemeluesja Levi, një dashamirëse e kërcimit tango, është e bindur se puna që po bëhet në Xnet është "vetëm fillimi".

"Kur e nisa këtë aktivitet shumë vite më parë, kisha dyshime, por tani e kuptoj që gjëra edhe më të mëdha do të vijnë. Mendoj se ky është vetëm fillimi. Ne do të ndërmarrim projektet edhe më të mëdha dhe rezultatet gjithashtu do të jetë më të mëdha. "

Paratë e mbledhura nga zonja Levi dhe aktivistët në internet përdoren për të paguar avokatët ose për mbrojtjen e sistemeve të tyre kompjuterike.

XS
SM
MD
LG