Lidhje

Francë, në kërkim të autorëve të sulmit


Autoritetet franceze vazhdojnë kërkimet për dy të dyshuar për sulmin e djeshëm në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo, nga i cili gjetën vdekjen 12 vetë, pas një dëshmie të pakonfirmuar se ata janë parë në një stacion servici në veri të Francës. Një hetim është duke u kryer në zonën Villers_Cotterets, rreth 80 kilometra në perëndim të qytetit Reims.

Në mbarë Francën flamujt valviten në gjysmë shtizë, ndërsa kryeministri thekson se përparësia kryesore është parandalimi i një incidenti tjetër terrorist.

Autoritetet janë në kërkim për vëllezërit Said Kouachi dhe Cherif Kouachi, të dy banorë të Parisit në të 30-tat. Sipas kryeministrit francez Manuel Valls, të dyshuarit kanë qenë në radarin e shërbimeve të zbulimit para këtij incidenti. Cherif Kouachi është burgosur më parë nën akuzat për terrorizëm. Policia thotë se i identifikoi të dyshuarit nga karta e identitetit që kishte lënë njeri prej tyre në makinë, pasi kryen vrasjet në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo.

18-vjeçari Hamyd Mourad, iu dorëzua autoriteteve lidhur me sulmin e djeshëm, ndërsa janë arrestuar shtatë persona po në lidhje me këtë incident.

Presidenti Francois Hollandë thirri një mbledhje urgjente të kabinetit, para se të mbahej një moment heshtjeje në mesditë.

Kryeministri Manuel Valls tha se përparësia kryesore është parandalimi i një sulmi tjetër. Policia e Parisit njofton se një pjesëtare e forcave të rendit u qëllua sot për vdekje në jug të qytetit, por nuk është e qartë nëse kjo vrasje kishte lidhje me incidentin në revistën satirike, të njohur për karikatura që në disa raste vinin në lojë ekstremizmin mysliman.

Persona të armatosur u futën dje në redaksinë e revistës gjatë mbledhjes redaksionale. Dëshmitarët njoftojnë se autorët e sulmit thërrisnin se kishin ardhur për t’u hakmarrë për Profetin Muhamet. 12 persona mbetën të vdekur në këtë incident, ndër të cilët gazetarë e karikaturistë, si dhe dy policë. Njëmbëdhjetë vetë u plagosën.

Mijëra vetë u mblodhën mbrëmë në qendër të Parisit për të nderuar viktimat dhe në solidaritet me misionin e tyre. Antonine Delehaye është banore e Parisit.

“Nuk kemi dalë sepse urrejmë fenë myslimane, por sepse jemi kundër obskurantizmit, mendje-ngushtësisë dhe atyre që veprojnë me mendje të ngushtë. Është një luftë e përditshme që do të vazhdojë për shumë kohë”.

Nuk është hera e parë që revista ka qenë objekt sulmesh. Zyrat e redaksisë u sulmuan me bombë zjarri në vitin 2011, pasi revista botoi një karikaturë të Profetit Muhamet në kopertinë.

XS
SM
MD
LG