Lidhje

E ardhmja e burgut në Guantanamo


Me transferimin e pesë të ndaluarve nga Guantanamo në Kazakistan, administrata e presidentit Obama e mbylli vitin 2014 duke larguar 28 të burgosur nga ky objekt gjatë vitit të kaluar. Ky është numri më i lartë që nga 2008.

Në përgjigje të pyetjes nëse administrata po përshpejton transferimin e të ndaluarve, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest u shpreh:

“Mund t’ju them se kjo vazhdon të jetë një përparësi e rëndësishme e administratës për të transferuar të gjithë të ndaluarit nga Guantanamo”.

Që në fillim të presidencës në 2009, zoti Obama nuk është tërhequr nga zotimi për ta mbyllur burgun në Guantanamo. Gjatë fjalimit kundër terrorizmit në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes në maj 2013, presidenti e cilësoi burgun e Guantanamos si një simbol që Amerika nuk përfill ligjin.

“Duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme të administratës sime kundër udhëheqjes së al Kaidës, nuk ka asnjë justifikim, përveç ambicjeve politike të Kongresit, për të penguar mbylljen e këtij objekti që nuk duhej të ishte hapur kurrë”.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara punojnë për të risistemuar afro gjysmën e 127 të ndaluarve që janë aprovuar për t’u liruar, një ndër pengesat kryesore për mbylljen e burgut, është ligji i vitit 2010 që ndalon vendosjen e të burgosurve në Shtetet e Bashkuara.

Mattew Levitt, analist për anti-terrorizmin në Institutin për Politikat e Lindjes së Afërme thotë se çështja e rivendosjes së të burgosurve brenda Shteteve të Bashkuara është politizuar që në fillim.

“Mendoj se sistemi ynë gjyqësor e ka këtë aftësi. Mendoj se sistemi ynë i burgjeve e ka këtë aftësi. Nuk mendoj se amerikanët do të ishin në rrezik më të madh thjesht sepse këta njerëz rivendosen në burgje amerikane. Por kjo është shndërruar në lojë politike”.

Por mbajtja e burgut të Guantanamos me një numër më të vogël të ndaluarish do të bëhet e vështirë për shkak të kostos së operacioneve; për çdo të burgosur shpenzohen afro 3 milionë dollarë në vit.

Zoti Levitt thotë se ligjvënësit nuk duhet ta trajtojnë koston si arsye për mbylljen e objektit, por duhet ta mbyllin burgun në Guantanamo sepse është një veprim i drejtë.

XS
SM
MD
LG