Lidhje

80 vjetori i lindjes së Elvis Preslit


Elvis Aaron Presley lindi më 8 janar, 1935 në Tupelo të Misisipit. Vëllai i tij binjak, Jessie Garon vdiq gjatë lindjes dhe Elvis u rrit si fëmijë i vetëm. Në vitin 1948, Elvis u zhvendos me prindërit në Memfis të Tenesisë ku mbaroi shkollën e mesme në vitin 1953.

Një vit më pas, ai filloi karrierën muzikore me firmën legjendare Sun Records në Memfis. Në fund të vitit 1955, kontrata e tij e inçizimeve iu shit kompanisë RCA Victor.

Në moshën 21 vjeçare, ai ishte një yll ndërkombëtar.

Pa përfituar nga privilegjet e famës, ai i shërbeu me nder vendit në ushtri, duke filluar në vitin 1958, për dy vjet pas së cilave iu kthye karrierës muzikore.

Më 1 maj 1967, ai u martua me Priscilla Ann Beaulieu me të cilën ishte takuar për herë të parë në Gjermani në vitin 1959, kur ajo ishte vetëm 14 vjeç.

Elvis ka mbetur një legjendë për muzikën dhe jetën e tij.

Muzika e tij u influencua nga prirjet pop dhe country të kohës, si edhe nga muzika ungjillore e kishave dhe R&B e afrikano-amerikanëve që ai e dëgjonte në rrugët e Memfisit kur ishte adoleshent.

Tingujt e tij kombinonin në një mënyrë krejt të veçantë rrymat e larmishme të rinisë së tij dhe i kapërcenin e sfidonin barrierat sociale dhe racore të kohës.

Në shkallë globale, Elvisi ka shitur mbi një miliardë albume, më shumë se çdo artist tjetër.

Por karriera e tij shkonte përtej muzikës.

Ai interpretoi në 33 filma, mes së cilëve “Jailhouse rock” në vitin 1957.

Në Shtetet e Bashkuara, ai është nderuar me çmime të shumta për 150 albumet dhe solot e tij.

Ai ka qenë 14 herë kandidat për çmimet Grammy dhe ka fituar tre herë dhe çmimin e karrierës po nga Grammy, që e mori në moshën 36 vjeçare.

Elvis Presley vazhdon të konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të kulturës popullore të shekullit të 20-ë.

Ai vdiq në shtëpinë e tij, Graceland në Memfis më 16 gusht 1977, në moshën 42 vjeçare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG