Lidhje

Suedi, ture në çatitë e parlamentit të vjetër


Guidat turistike në Suedi kanë gjetur një mënyrë interesante për t'i njohur vizitorët me kryeqytetin e tyre, Stokolmin. Ata i ngjisin vizitorët në lartësi, nga ku mund të soditen bukuritë e qytetit. Turet në çatitë mëse 40 metra të larta, i japin vizitorit një pamje panoramike të ishujve që përbëjnë Stokolmin.

Ky nuk është një tur për ata që nuk e durojnë dot lartësinë. Sepse vizitori duhet të ngjitet në lartësinë prej 43 metrash dhe pikërisht në ndërtesën e vjetër të parlamentit në qendër të kryeqytetit suedez.

Gjatë 90 minutave, vizitorët ecin përgjatë çative të ndërtesës, përqark oxhaqeve dhe ngjiten nëpër shkallë për të parë sa më mirë qytetin nga lart.

Ata bëjnë katër ndalesa, gjatë të cilave guidat u tregojnë historinë e Stokolmit, nga të dhënat e para mbi këtë qytet në shekullin e 13, pastaj në kohën e mbretërive , të luftrave dhe shkatërrimeve e deri në ditët tona. Vizitorët mbahen pas kabllove të sigurisë dhe helmetat janë të detyrueshme.

"Pasi ngjitemi në çatinë e parlamentit, fillojmë të ecim mes platformave të ndryshme. Gjatë rrugës ndalemi dhe u flasim vizitorëve për historinë e Stokolmit. Prej këtu kemi një pamje 360 gradëshe të qytetit dhe të ishujve," thotë Caroline Baecklund.

Ndërtesa e vjetër e Parlamentit ndodhet në Riddarholmen në Stokolmin qendror. Prej aty, parlamenti i ri dhe katedralja e Stokolmit janë shumë afër.

Zona e quajtur "qyteti i vjetër" është në jug dhe akoma më në jug është lagja moderne Soedermalm.

Në lindje është Deti Baltik ndërsa në perëndim Liqeni Maelaren.Në vitin 2013, Stokolmi ishte destinacioni turistik i dhjetë më popullor i Evropës.Turet në çatinë e parlamentit të vjetër tërheqin rreth 10 mijë vizitorë në vit.

"Këtu vijnë njerëz të ndryshëm; shumë prej tyre jetojnë këtu në Stokolm, por ka edhe nga pjesë të tjera të Suedisë dhe nga jashtë," thotë zonja Baecklund.

"Njerëzit vijnë nga kroçerat, të cilat rezervojnë qysh më parë, por ka edhe ture të veçanta vetëm për çiftet. Kemi patur disa raste kur këtu janë bërë propozime për martesë. Pra, gjithmonë kemi ngjarje këtu në çati."

Kevin Dunne, nga Dublini, e ka lënë gruan dhe vajzën poshtë dhe vetë është ngjitur në çati. Ai thotë se është i kënaqur me këtë tur:

"Deri tani ka shkuar shumë mirë, ende nuk jam rrëzuar. Pamja është e mrekullueshme."

Dielli fillon të perëndojë dhe turit i vjen fundi. Vizitorët shkëpusin kabllot dhe zbresin shkallët. Turi në çatitë e parlamentit kushton

64 euro dhe bëhet në gjuhët suedisht, anglisht dhe gjermanisht.

XS
SM
MD
LG