Lidhje

Dy konfrontime me persona të dyshuar trondisin Francën


Një person i armatosur po mban disa pengje në një supermarket ushqimor në Paris, edhe pasi forcat e sigurisë rrethuan një qytezë në veri të kryeqytetit ku dy të dyshuarit kryesor për vrasjet në gazetën Charlie Hebdo janë fshehur dhe po mbajnë një peng.

Një zyrtar i policisë tha se personi në incidentin e supermarketit, 32 vjeçari Amedy Coulabaly, besohet të jetë i njëjti që qëlloi dhe vrau një police në jug të Parisit të enjten. Autoritetet po kërkojnë gjithashtu një person që e përshkruajnë si bashkëpunëtoren e tij, një grua me emrin Hayet Boumddiene. Burime policore e lidhin atë me dy vëllezërit Cherif dhe Said Kouachi, që dyshohen për vrasjen e 12 personave në sulmin e së mërkurës.

Forcat franceze të sigurisë thane se janë në kontakt me vëllezërit, të cilët kanë të paktën një peng. Ata janë fshehur në një depo në qytezën Dammartin-en-Goele, 40 kilometra në verilindje të Parisit.

Të dyshuarit, vëllezërit Cherif dhe Said Kouachi, njoftohet t’u kenë thënë negociatorëve të policisë se janë gati të vdesin si martirë. Policia ka konfirmuar se të dyshuarit po mbajnë të paktën një peng.

Policia u përqëndrua sot në qytetin industrial Dammartin-en-Goele, në verilindje të Parisit, pas dy ditë kërkimesh. Helikopterë dhe makina të policisë në kushte të një moti me shi kanë rrethuar një park industrial të qytetit që ndodhet rreth 40 kilometra në verilindje të Parisit.

Qyteti është i bllokuar dhe kryetari i komunës ka paralajmëruar banorët të qëndrojnë brenda. Qyteza ndodhet pranë aeroportit Charles DeGaulle.

Ministri i brendshëm francez Bernard Cazeneuve konfirmoi se operacioni për kapjen e të dyshuarve vazhdon. Ai foli disa momente pas një takimi emergjent me presidentin, kryeministrin dhe zyrtarë të lartë të policisë.

Në kërkim të vëllezërve Kouachi marrin pjesë më shumë se 88 mijë policë dhe forca të sigurisë.

XS
SM
MD
LG