Lidhje

Siguria e transportit ajror


Gjatë vitit 201, u përdorën më shumë paisje gjurmimi nënujore se zakonisht, duke kërkuar për aeroplanët e rrëzuar në det. Dy avionë nuk janë gjetur ende: avioni 370 i Malaysia Airlines, dhe së fundmi avioni 8501 i AirAsia. Firmat më të mëdha të industrisë ajrore janë duke u përpjekur të rrisin standartet për paisje më të besueshme gjurmimi të avionëve.
Një avion i Air France u rrëzua në oqeanin Atlantik në vitin 2009. U deshën gati dy vjet që të gjendeshin paisjet regjistruese të avionit.

Avioni Malaysia 370 u zhduk mbi Oqeanin Indian. Pas dhjetë muajsh nuk është gjetur ende asgjë.

Ndërkohë, vazhdon kërkimi për avionin AirAsia dy javë pas rrëzimit të tij.

Administratorë të aviacionit, si Michael Huerta, po propozojnë ndryshime. Ndërkohë që vazhdojnë kërkimet për avionët e Malaysia dhe AirAsia, një organizatë ndërkombëtare e aviacionit do të bëjë thirrje për standarte botërore të gjurmimit të avionëve. ICAO, Organizata Botërore e Aviacionit Civil, po shqyrton disa opsione.

Një propozim bën fjalë për një lloj teknologjie që nuk do të mund të çaktivizohet nga personat në bord, çka mendohet se ka ndodhur me avionin Malaysia 370. Një tjetër propozim është që avionët të raportojnë vendndodhjen e tyre nëpërmjet satelitit për çdo 15 minuta, dhe jo vetëm çdo një orë. Kjo mund të plotësonte boshllëkun në komunikim gjatë fluturimit mbi oqeane dhe zonat e largëta. Firma satelitore Inmarsat do ta ofrojë këtë gjë falas, nëse ICAO do ta miratojë.

Paralelisht, Shtetet e Bashkuara po heqin gradualisht nga përdorimi të ashtuquajturat “kutitë e zeza” që kanë një jetëgjatësi baterish 30-ditore. Paisjet e reja që po prodhohen dhe do të jenë të instaluara deri në vitin 2020, do të kenë transmetues për 90 ditë.

Administratori ajror Huerta thotë se çfarëdo ndryshimesh që do të bëhen duhet të kenë një standard të qëndrueshëm.

“Është një industri globale. Ajo që funksionon në SHBA duhet të funksionojë edhe në pjesët e tjera të botës.”

Standarte të reja apo bateri me jetë të zgjatur nuk do të kishin shpëtuar jetë në asnjë nga këto rrëzime avionësh. Por, do të ofronin një përfundim më të hershëm për familjet dhe hetuesit.

Disa thonë që vëmendja duhet të përqëndrohet tek parandalimi.

“Na duhet një shkëmbim më i mirë e informacionit ndërmjet vendeve. Na duhet informacion më i plotë se kush janë në listën e pasagjerëve. Na duhet të dhëna më të plota për anëtarët e stafit të avionëve”, thotë Richard Aboulafia, i grupit “The Teal”. Ai thotë se teknologjia e gjurmimit, duhet të vihet në përdorim në rastet e pasigurisë.

“Në rastet kur ndodh diçka e keqe, atëherë duhet të fillojë transmetimi i informacionit për të gjitha parametrat.”

Kjo sidoqoftë nuk është ende ndër propozimet që do të shqyrtohen nga ICAO, e cila pritet të propozojë gjatë një takimi në muajin shkurt vetëm standartin e raportimit çdo 15 minuta.

Nëse ky standart miratohet, mund të zbatohet shpejt pasi nuk kërkon paisje shtesë në avione dhe pa kosto shtesë për firmat ajrore.

XS
SM
MD
LG