Lidhje

Ndikimi i traumës pas ngjarjeve të dhunshme


Masat e shtuara të sigurisë dhe ndikimi i ngjarjeve të fundit në Veri të Francës, mund ta shtojnë ndjenjën e ankthit, të intensifikuar nga dhuna në Paris. Studiuesit kanë analizuar efektin e traumave të tilla tek viktimat dhe të mbijetuarit dhe kanë arritur në përfundime të vlefshme për ripërtëritje pas përjetimeve të dhimbshme.

Ndërsa francezët i rikthehen jetës së tyre, pas ngjarjeve të fundit, imazhet që janë ngulitur në mendjen e tyre janë ato të errësirës që ka mbështjellë monumentet, dhe flaka e qirinjve të ndezur për nder të atyre që humbën jetën.

Bindja se është vënë në shënjestër liria e tyre, i ka nxitur njerëzit të të dalin në Sheshin e Republikës, një simbol i lirisë së Francës.

Kjo ndjesi është intensifikuar ndërsa të mbijetuarit e sulmit ndaj zyrave të revistës satirike Charlie Hebdo kanë përshkruar se si personat e armatosur zgjodhën viktimat e tyre.

Mjekët dhe sociologët kanë studiuar për dekada të tëra efektin e ngjarjeve të tilla traumatike tek njerëzit e prekur nga dhuna dhe ata që kanë qenë dëshmitarë të saj, apo jetojnë në një shoqëri ku ajo mbizotëron.

Ndikimi i dhunës dhe frikës është dokumentuar mjaft mirë në rastet e personelit ushtarak, anëtarët e të cilit kanë vuajtur nga sindroma e stresit post-traumatik.

Gjithnjë e më shumë studiuesit po analizojnë pasojat tek personat që kanë qenë dëshmitarë të dhunës, përfshirë punonjësit e mjekësisë dhe gazetarët, si edhe ata që janë të ekspozuar ndaj dhunës përmes medias, sidomos medias dixhitale.

Profesoreshë Anna Reading në Kolegjin King të Londrës bën pjesë në një grup pune që ka shqyrtuar ndikimin e akteve mizore tek shoqëria në përgjithësi, si për shembull se si mund të jenë prekur njerëzit nga sulmet me bomba në Londër, pothuajse 10 vjet më parë.

Profesoreshë Reading thotë se stresi post-traumatik mund të ketë një sërë simptomash dhe është zakonisht një reagim ndaj paaftësisë sonë apo mungesës së vullnetit për t’u përballur me tmerrin që kemi provuar.

“Mendja përpiqet të kompensojë përpjekjet e të mbijetuarve për të shmangur kujtimet, ndërsa trupi duke u përpjekur të përsërisë ngjarjet në forma të ndryshme, si për shembull ëndrra të këqija, apo fragmente të befta kujtimesh apo edhe simptoma fizike si dridhje, apo copëra imazhesh në cepat e syrit e të tjera. Mund të ketë edhe simptoma të tjera si ndjenja zemërimi të skajshëm, agresivitet dhe ndjenja e fajit që pushton të mbijetuarin”.

Studimet e profesoreshës Reading kanë përforcuar përfundimet e kërkimeve të mëparshme që ajo thotë se demonstrojnë se incidentet e dhunës publike mund të rizgjojnë stresin tek njerëzit që kanë fshehur në subkoshiencë përvoja të mëparshme traumatike.

Pra, një ngjarje si ajo e Parisit, mund të shkaktojë simptoma të stresit post-traumatik tek dikush që në të kaluarën ka përjetuar një episod të veçantë traumatik, qoftë edhe shumë vjet më parë.

Profesoresha Reading thotë se fuqizimi i medias elektronike do të thotë se grupe më të mëdha të shoqërisë ekspozohen dhe interneti do të thotë se shumë vetë mund të shohin pamje traumatike pa efektin stabilizuar të një përjetimi të përbashkët.

“Ka diçka që quhet ‘sindroma e botës së keqe’ sipas së cilës veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë që ekspozohen ndaj mbulimit të medias që shfaq vazhdimisht ngjarje të dhunshme, fillojnë të mendojnë se kjo është bota ku jetojmë, që gjithçka është e keqe dhe nuk ka asgjë të mirë, se nuk ka mundësi të kesh ndikim tek bota dhe se bota është plot me kriminelë dhe terroristë dhe kjo dëmton aftësinë e tyre të ripërtëritjes dhe optimizmit. Pra kjo është nga njëra anë dhe nga tjetra është stresi post-traumatik dhe me këto luhatje vijnë reagime të ndryshme”.

Në Londër, sulmet me bomba ndaj sistemit të transportit publik në vitin 2005 shkaktuan vdekjen e dhjetra vetëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve në vitin 2005.

Ndikimi i ankthit që pasoi, ishte diçka që u tërhoqi vëmendjen punonjësve të shëndetësisë.

“Në komunitete ku ka pasur sulme të kësaj natyre, rastet e dhunës familjare shtohen për shembull. Pra, ka një rreze reagimesh të ndryshme që pasojnë një sulm të dhunshëm”.

Në Francë, njerëzit kanë filluar të përshkruajnë ankthin që i ka përfshirë.

“Gjithmonë shqetësohem se një lajm do të jetë kudo për disa ditë dhe pastaj zhduket. Por mendoj se këtë radhë kemi të bëjmë me një rritje të vetëdijes dhe nuk është thjesht një ngjarje që do ta harrojmë shpejt”, thotë parizieni Stainslas cebron.

“U shqetësova jashtë mase ndërsa dëgjoja lajmet ditën e sulmit. Ishte një sulm ndaj lirisë së shtypit, por ajo që po bën media mund të ngjallë urrejtje tek disa njerëz. Nuk duhet t’i ngatërrojmë këto të dyja”.

Studiuesit thonë se mundësia për të shkëmbyer përvojat është jetike, ashtu si edhe ceremonitë përkujtimore që ndihmojnë njerëzit të analizojnë atë që ndodhi. Profesoresha Reading beson se veprime të tilla janë të rëndësishme, sepse i japin mundësinë shoqërisë të gjejë energji.

“Është një rikthim i energjisë dhe kur një person apo një grup njerëzish ka përjetuar një ngjarje të këtij lloji, shkakton një shterrim të energjisë fizike dhe emocionale, kështuqë procesi i katarsisit do të thotë që ata fillojnë të lënë pas ndjesitë e këqija dhe kthehen së bashku në një atmosferë më të shëndetshme”.

Parizieni Juliene Fall, shpreh ndjenjat e shumë francezëve kur thotë se fokusi duhet të jetë tek bashkimi.

“Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të shohim republikën të dalë mbi ndasitë, kundër racizmit dhe urrejtjes”.

XS
SM
MD
LG