Lidhje

Shqipëri, sekuestrohen 121 kg kokainë


Zbulohet në Elbasan një laborator gjigand droge. Arrestohen 8 persona, mes tyre dhe 2 kolumbianë. Kokaina dërgohej kryesisht në Gjermani, nga ku kishin mbërritur dhe sinjalizimet për rrjetin e trafikut

Në Shqipëri policia dhe prokuroria e Krimeve të Rënda shkatërruan dje pasdite një grup të trafikut të drogës duke sekuestruar sasinë më të madhe të kokainës të zbuluar deri më tani. Bëhet fjalë për të paktën 121 kilogram. Gati 100 kilogram kokainë e përzier dhe 3 kilogram kokainë e papërpunuar, si dhe mbi 3 tonelata përzierës u gjetën në një magazine në Labinot të Elbasanit, e cila ishte kthyer në një laborator të kokainës.

Afër 18 kile të tjera dhe 330 mijë euro u gjetën në makinën e Saimir Batkut, njëri prej tetë personave të arrestuar. Mes atyre që përfunduan në pranga ishte edhe Ermal Hoxha, nipi i ish diktatorit komunist Enver Hoxha, ndërsa dy shtetas kolumbianë u kapën në laboratorin e drogës në momentin e ndërhyrjes së policisë. Sipas të dhënave paraprake, kreu i organizatës ishte Ilir Hyseni, personi i cili mendohet se merrej dhe me transportin e kokainës, kryesisht drejt Gjermanisë. Në fakt, kishin qenë autoritetet gjermane të cilat kishin sinjalizuar palën shqiptare për këtë linjë trafiku. Autoritetet shqiptare hetuan për disa muaj, duke përgjuar anëtarët e grupit deri kur vendosën që të ndërhynin për arrestimin e tyre. Mendohet se policia është në kërkim dhe të personave të tjerë, pjesë e kësaj organizate e cila dyshohet të ketë investuar miliona euro të ardhura nga trafiku, në pasuri të patundshme në qytete të ndryshme të vendit.

Operacioni u përshëndet dhe nga kryeministri Edi Rama i cili përmes disa mesazheve në Twitter u shpreh krenar për policinë duke e cilësuar “të jashtëzakonshëm operacionin” dhe “spektakolar sekuestrimin e mbi 100 kilogram kokainë”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG