Lidhje

Panairi ndërkombëtar i makinave në Detroit


Prodhuesi gjerman Volkswagen shfaqi makinën e vet koncept të ndërtuar për të konkuruar në tregun amerikan të makinave luksoze. Cross Coupe GLE me katër rrota aktive përdor një sistem hibrid me karikim dhe transmision elektrik. Martin Winterkorn është shef i gjigandit Volkswagen.

“Kjo makinë është ambasadore e gjuhës së dizajnit të ri të Volkswagen-it. Inxhinieria dhe dizajni gjerman përshtatet me mënyrën amerikane të jetesës.”

Kjo makinë është kryqëzim radikal i veturës sportive me dy dyer dhe fuoristadës. Synimi është që Volkswagen të fillojë prodhimin e këtij automjeti nga fundi i vitit 2016, i cili ruan formën e makinës sportive. Aaron Bragman është analist për Cars.com.

“Gjermanët thonë se është makinë sportive edhe pse ka katër dyer dhe duket si një fuoristradë dhe madje e lartë. Por nuk do t'i quaja makina sportive.”

Një prodhues tjetër, General Motors, po ashtu po tërheq vëmendjen e një lloji të ri konsumatorësh duke prezantuar veturën Cascada... një variant me stil i Opelit kabriolet evropian të prodhuar nga Buik-u. Bukuroshja ka një çati të lëvizshme me material të lëmuar që mund të hapet për 17 sekonda ndërsa makina ecën me shpejtësi 50 kilometra në orë. Presidenti i General Motors, Daniel Ammann, thotë se ky është kabrioleti i parë në 25 vjet i Buick-ut. Aaron Bragman, analist për Cars.com, thotë se vetura ka një kosto të përballueshme.

“Cascade ka një motor turbo prej 200 kuaj fuqi dhe sistem sigurie me një si kafaz metalik që aktivizohet nëse makina zbulon mundësinë e aksidentit. Është një kabriolet luksoz me katër vende dhe që nuk kushton shumë.”

GM shpreson që Cascada do ta vendosë kompaninë në një pozicion të mirë mes konkurentëve të njohur për prodhimin e kabrioletëve. General Motors po përpiqet të lërë në hije Tesla-n duke u prezantuar me makinën elektike Bolt. Sipas shefes ekzekutive të GM, Mary Barra, Bolt kushton rreth 30 mijë dollarë dhe përshkon 321 kilometra me një karikim.

“Është një makinë elektrike për të gjithë. Ka bateri me teknologji të avancuar dhe është ndërtuar me materiale të lehta ku përfshihet alumini, magnezi dhe fibrat karbonike.”

Acura, linja e makinave luksoze të kompanisë japoneze Honda, prezantoi super veturën NSX. Me një motor me dy turbo dhe sistem elektrik hibrid me tre cilindra ajo ofron një fuqi të përgjithshme prej 550 kuaj fuqi. Super-vetura ka një çmim fillestar prej 150 mijë dollarësh.

Infiniti, linja luksoze e kompanisë japoneze Nissan, u paraqit me veturën sportive koncept Q60. Me një stil më preçiz dhe më të theksuar se vetura aktualle, Q60 do të dalë në treg vitin që vjen.

Konkurenca mes auto-prodhuesve gjermanë duket se po thellohet me Mercedesin që u paraqit me modelin GLE të dalë nga kryqëzimi i veturës sportive të klasit E me fuoristradën.

Praqitja më shokuese ishte super vetura e re GT nga kompania Ford. E lehtë në peshë me dy turbo dhe fuqi 600 kuaj fuqi, GT ka një motor me gjashtë pistona.

Porshe shpalosi modelin 911 Targa GTS me 430 kuaj fuqi që arrin shpejtësinë 96 kiolmetra në orë brenda 4.1 sekondash.

Edhe prodhuesi italian Alfa Romeo u paraqit me modelin 4C Spider kabriolet me çati prej fibre karboni që mund të hiqet. Kompania thotë se do të prodhojë vetëm 3 mijë copë kabrioletë me dorë dhe çmimi do të jetë diku mes 60 dhe 85 mijë dollarë. Panairi ndërkombëtar për Amerikën e Veriut në Detroit do të jetë i hapur deri më 25 janar ku do të ekspozohen mbi 500 automjete.

XS
SM
MD
LG