Lidhje

Trafiku i kokainës, 11 të arrestuar


Gjatë operacionit u sekuestruan afër 100 kilogram lëndë e dyshuar si kokainë, ndërsa u zbulua dhe një laborator modern për përpunimin e drogës, ku punonin dy kolumbianë

Në Shqipëri shkoi në 11 persona, numri i të arrestuarve në operacionin që coi në goditjen e një rrjeti të trafikut të kokainës, zbulimin e një laboratori modern dhe sekuestrimin e sasisë më të madhe të zbuluar deri më tani, prej afër 100 kilogram kokainë. Grupi i përbërë nga shqiptarë të cilët kishin punësuar edhe dy kolumbianë që merreshin me procesin e përpunimit të kokainës, kishte sipas policisë, një aktivitet ndërkombëtar, nga Amerika latine në Ballkan me destinacion Europën Perëndimore.

Pas arrestimeve të para te realizuara pasditen e djeshme, në nisje të operacionit, policia njoftoi sot se numri i përgjithshëm i të arrestuarve, si pjestarë të një grupi që merrej me trafikun e kokainës, është 11 persona.Në total bëhet fjalë për afër 100 kilogram lënë narkotike e dyshuar si kokainë si dhe sasira të konsiderueshme përzierësish. Kjo përbën dhe sasinë më të madhe të kësaj droge të fortë të zbuluar deri më tani në Shqipëri, e cila i nënshtrohej një procesi të sofistikuar përpunimi.

Sic tha dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duke folur nga ambientet e përdorura nga trafikantët në një fshat të Elbasanit, ky “është laboratori më i madh edhe më modern i kapur ndonjëherë në Shqipëri dhe në të gjithë Ballkanin”.

Sic shpjegoi sot policia, grupi siguronte lëndë me përmbajtje të substancave narkotike, të cilat më pas i nënshtroheshin një procesi përpunimi dhe nxjerrjes së substancës së pastër kokaine me qëllim përdorimin në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Realizimi i procesit të përpunimit të lëndës narkotike dhe përgatitja e saj për t’u hedhur në treg, i ishte besuar dy shtetasve kolumbianë të rekrutuar posacërisht, të cilët përfunduan gjithashtu në pranga gjatë operacionit.

Goditja e këtij grupi u bë pas sinjalizimeve të ardhura nga Gjermania, e cila duket se ka qenë dhe tregu kryesor ku përfundonte kokaina. Gjatë operacionit u zbuluan përvec pajisjeve për përpunimin e drogës edhe armë si dhe sasi të mëdha parashë, afër 360 mijë euro, të cilat janë dëshmi edhe e fuqisë financiare të këtij grupi.

“Hetimi do të vazhdojë. Do të vazhdojë edhe me pasuritë dhe asetet kriminale që ka prodhuar ky aktivitet kriminal, sepse ne besojmë shumë fort që goditja më e madhe që mund t’i japim botës së krimit është hetimi dhe sekuestrimi i pasurive që vë bota e krimit si pasojë e aktivitetit kriminal”, deklaroi ministri Tahiri.

Të arrestuarit gjatë operacionit, përvec dy kolumbianëve janë shtetas shqiptarë nga Tirana, Elbasani e Vlora. Mes tyre figuron edhe Ermal Hoxha, nipi i ish dikatorit komunit Enver Hoxha.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG