Lidhje

SHBA dhe Bullgaria ripohojnë partneritetin


Në udhëtimin e tij të parë në Bullgari si Sekretar Shteti, zoti Kerry, shprehu mbështetetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Bullgarisë për t’u larguar nga vartësia ndaj Rusisë për nevojat e saj energjitike.

"Këto janë kohë të vështira dhe Bullgaria jeton në një rajon me sfida. Unë ka ardhur sot këtu të për të shprehur mbështetjen e Amerikës për sigurinë, përparimin dhe forcimin e institucioneve demokratike të Bullgarisë”.

Bisedimet mes zotit Kerry dhe kryeministrit bullgar Boiko Borisov u përqëndruan tek siguria dhe energjia, me synimin që Washingtoni ta ndihmojë Sofjen të gjejë burime alternative të energjisë, pas anulimit nga Rusia të projektit të tubacionit jugor të gazit. E ndodhur nën trysninë e Uashingtonit dhe të Brukselit, Bullgaria i pezulloi punimet për gaz-sjellësin jugor i cili synonte të furnizonte Evropën me gaz nga Rusia duke anashkaluar Ukrainën, e cila ka mosmarrëveshje të thella me Rusinë. Moska tha se e anuloi projektin për shkak të kundërshtimit nga evropianët.

Zoti Kerry tha se Uashingtoni do ta ndihmojë Bullgarinë të përballojë varësinë enegjetike tek Rusia. Aneksimi i Krimesë nga Rusia ka ngjallur shqetësime mes vendeve që varen nga Rusia për nevojat energjitike.

“Ka të dhëna për një angazhim të Rusisë ndaj Bullgarisë, përmes ndihmës financiare dhe disa ndikimeve të tjera në fushën politike. Ne shpresojmë se Rusia do të bëjë zgjedhjet e duhura, për të siguruar qëndrueshmëri dhe mirëqenie në rajon, por në çdo rast ne qëndrojmë gati për ta ndihmuar Bullgarinë në këto kohë sfidash në fushën ekonomike dhe të sigurisë.”

Bullgaria është një nga vendet më të korruptura të Bashkimit Evropian. Zyrtarët amerikanë thonë se Moska ka mundur të ketë ndikim tek Sofja, edhe për shkak të korrupsionit në këtë vend.

“Asnjë vend i botës nuk ka monopolin e korrupsionit dhe asnjë vend nuk është i përjashtuar nga problemi i korrupsionit. Por në Bullgari ky problem nuk ka të bëjë vetëm me forcimin e demokracisë, por edhe me krijimin e kushteve për investitorët e huaj dhe me mbrojtjen e vendit nga ata që përpiqen ta shfrytëzojnë situatën për të ndikuar në vendimet tuaja si një shtet sovran."

Pas anulimit të projektit rus, Bullgaria synon të bëhet një qendër rajonale për depozitimin e gazit. Uashingtoni mbështet ndërtimin e një tubacioni midis Greqisë dhe Bullgarisë që do të lejonte gazin nga Azerbaixhani të shërbente si burim alternativ energjie.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG