Lidhje

Agimi Polar, një shfaqje mahnitëse e aurorave


Agimi Polar i ka mahnitur njerëzit për shekuj me radhë, por tani ekspertët në Finlandë janë më afër gjetjes së një mënyre për të parashikuar momentin e shfaqjes së këtij ndriçimi. Ky fenomen natyror tërheq mijëra turistë në pjesën veriore të Skandinavisë pavarësisht se mundësia për të mos e parë paraqitjen e ndriçimit jeshil është e madhe.

Është një shfaqje mahnitëse e dritave të natyrës.

Në janar të vitit 2012 kjo shfaqje agimi polar, ndriçoi fshatin Birtavarre në Norvegjinë veriore ku ishin mbledhur mijëra turistë.

Edhe vëzhguesit me përvojë të yjeve ishin të habitur nga intensiteti i ndriçimit, i shkaktuar nga stuhia më e madhe diellore në gjashtë vite.

Pavarësisht dëshmive që tregojnë se kjo dukuri e veçantë natyrore ka ndodhur për mijëra vjet, për ta parë duhej edhe pak fat.
Por kjo ka filluar të ndryshojë.
Në qytetin e vogël finlandez të Sodanshylës, që ndodhet rreth 100 kilometra brenda Rrethit Arktik, ekspertët po përpiqen të kërkojnë për shenja të mundshme të aurorës.

Qendra Kërkimore e Institutit Arktik dhe Meteorologjik të Finlandës, FMI merret me kërkime atmosferike dhe mjedisore.

Kjo qendër përdor kamerat dhe sistemet e alarmit me fushë magnetike për të monitoruar aktivitetin e aurorave.

"Agimi polar është një fenomen shumë interesant që shfaqet në lartësitë të qiellit gjatë natës dhe shoqërohet me drita shumëngjyrëshe të aurorës", thotë Kirsti Kauristie, një studiuese në Institutin Meteorologjik finlandez.

"Ato tregojnë ndërveprimin e atmosferës sonë me hapësirën, dhe burimin origjinal të energjisë për aurorat që është në diell".

Dielli nuk është çelësi i vetëm krijimit të aurorave, por edhe i parashikimit të tyre.

Një rrjedhë e grimcave që vjen nga Dielli, që quhet erë diellore, i transporton elektronet dhe protonet në atmosferën e Tokës.

Ndërsa fusha magnetike e Tokës parandalon hyrjen e shumicës së këtyre grimcave në atmosferën tonë, një pjesë e tyre drejtohet në dy polet e fushës magnetike të Tokës.

Në këto pika ato ndeshen me atomet e oksigjenit dhe hidrogjenit si dhe me molekulat e azotit, që pastaj shndërrohen në energji dhe krijojnë shfaqjen e ndriçimit polar.

Dritat jeshile dhe ato të kuqe të shfaqura në aurora prodhohen nga oksigjeni në atmosferë.

Ngjyrat blu dhe vjollcë krijohen nga prania e azotit në atmosferë.

"Dielli dërgon në hapësirën përreth jo vetëm nxehtësi dhe dritë por edhe grimca të ngarkuara të cilat ne i quajmë erë diellore. Era diellore përmban edhe lloje të ndryshme të strukturave që prodhojnë aurorat".

Në përpjekje për të parashikuar me saktësi shfaqjen e agimit polar, ekspertët në FMI tani monitorojnë aktivitetin diellor, duke kërkuar për shpërthime në në diell.

Ekspertët duhet të përcaktojnë nëse shpërthimi vjen në drejtim të Tokës dhe nëse ai ka strukturën e duhur magnetike për të krijuar aurora.

Kjo mund të bëhet vetëm përmes një sateliti rreth 1.5 milionë kilometra larg Tokës, që do të thotë se studiuesit mund të parashikojnë krijimin e aurorave rreth një orë para shfaqjes së tyre.

Monitorimi i diellit nuk është metoda e vetme për të parashikuar shfaqjen e agimit polar.

Në Qendrën e Studimeve Arktike, ky radar përdoret për të monitoruar atmosferën e sipërme të Tokës, pranë hapësirës.

Të dhënat që radari merr mund të lexohen nga çdo person që ka qasje në internet dhe mund të çojnë në parashikime të suksesshme të shfaqjes së aurorave.

Natyrisht kjo mund të arrihet vetëm nëse qielli është i kthjellët.

"Instrumentet dhe radarët mund të përdorën për të parë aurorat edhe nëse ka re, por ne duam t’i shohim yjet pa ndihmën e instrumenteve", thotë Esa Turunen, drejtor i Observatorit Gjeofizik të Sodanshylës.

"Nëse ju doni të shihni aurorën, ju duhet të jeni në gjendje t’i shihni yjet pa ndihmën e instrumenteve, dhe kjo mund të bëhet në një natë dimri pa re".

Teoritë mbi agimin dhe mënyrën më të mirë për ta parë atë nuk janë gjë e re.

Në Rouvaniemi të Finlandës, një muze dhe një qendër shkencore për turistët ofron një histori të shfaqjes së aurorave në të kaluarën.

Muzeu shkencor i Artikumit shfaq ekspozita që eksplorojnë historinë Laplandit të Finlandës nga parahistoria deri në ditët e sotme.

Specialistja e muzeut, Merja Lehtovirta-Aho thotë se shumë kultura kanë zhvilluar mënyrën e tyre të shpjegimit të shfaqjeve mistike të aurorave.
Në fakt, ka mite dhe legjenda mbi aurorat që shtrihen nga vendet si Kanadaja e deri në Kinë.

"Natyrisht edhe ata kanë krijuar histori të ndryshme dhe madje edhe në ditët e sotme turistët aziatikë mendojnë se nëse e shohin agimin polar ata do të kenë fat gjatë gjithë jetës së tyre".

Pavarësisht punës së ekspertëve, fati vazhdon të luaj një rol të madh për turistët që shkojnë në pjesën veriore të Skandinavisë për të parë shfaqjen e aurorave.

Sipas një kompanie të turizmit në Rovaniemi, rreth 500 mijë njerëz e vizitojnë çdo vit qytetin, me shpresë se do të jenë me fat për të parë ndriçimin polar.

XS
SM
MD
LG