Lidhje

Terrorizmi mund të ndryshojë tonin e fjalimit të Presidentit Obama


Presidenti Barack Obama mban nesër fjalimin e përvitshëm për gjendjen e vendit në një kohë kur janë rritur masat e sigurisë në Uashington dhe qytete të tjera pas sulmeve terroriste në Francë. Zhvillimet ndërkombëtare po e detyrojnë presidentin Obama që t’i kushtojë më shumë vëmendje çështjeve të sigurisë brenda dhe jashtë vendit.

Ceremonia madhështore e fjalimit të nesërm para një sesioni të përbashkët të Kongresit vjen në një kohë kur masat e sigurisë janë forcuar në të dyja anët e Atlantikut. Ditët e fundit, ka pasur aksione policie në Belgjikë dhe Gjermani, arrestime në Greqi dhe rritje të masave të sigurisë në gjithë Evropën, të gjitha pas sulmit ndaj revistës satirike Charlie Hebdo.

Përpjekjet e sigurisë duhet t’i përshtaten një lloji tjetër kërcënimi, sipas Rob Wainwright që drejton agjencinë e rendit të Bashkimit Evropian, Europol.

“Po shohim një përpjekje shumë të vendosur të qeverive tona, policive të vendeve të ndryshme dhe organizma si Europoli që po rishikojnë me urgjencë rrugët për një mbështetje më të mirë të shërbimeve kundër terrorizmit kudo, si edhe për një shkëmbim më të mirë të informacionit të zbulimit, në ndjekjen e financimit të terrorizmit dhe armëve të paligjshme dhe veçanërisht vëzhgimin e aktiviteteve terroriste në internet”.

Zhvillimet ndërkombëtare po e detyrojnë presidentin Obama që shpreson të punojë me një Kongres të kontrolluar nga republikanët për një program që përfshin përparësitë e politikës së brendshme, që t’i kushtojë më shumë vëmendje çështjeve të sigurisë brenda dhe jashtë vendit.

“Kjo dukuri e ekstremizmit të dhunshëm, ideologjisë, rrjeteve, aftësisë për të rekrutuar të rinjtë, është shumë e përhapur dhe ka depërtuar në komunitete në të gjithë botën. Është një problem shumë shqetësues, që shkakton tragjedi dhe shkatërrim, por një betejë që në fund të fundit ne do ta fitojmë”.

Me baza të fjetura terroriste që besohet të ekzistojnë në shumë vende dhe mundësinë që incidenti tek Charlie Hebdo të mobilizojë ekstremistët në gjithë globin, administrata e Presidentit Obama dhe qeveri të tjera nuk po diskutojnë nëse do të ketë përpjekje për një sulm tjetër por kur dhe ku.

XS
SM
MD
LG