Lidhje

Opozita në parlament


Në Shqipëri parlamenti nisi sot sesionin e ri ku pas marrëveshjes së arritur në fund të dhjetorit të kaluar është e pranishme edhe opozita.

Punimet e parlamentit rifillojnë në një klimë të ngarkuar akuzash të përditshme që opozita po ngre ndaj shumicës së majtë, ndërsa bazuar dhe në marrëveshjen e dhjetorit palët do të duhet të punojnë për atë që është quajtur si dekriminalizim i parlamentit dhe administratës. Kryetari demokrat Lulzim Basha tha sot se "kjo është kauza dhe beteja për të sotmen dhe të ardhmen e vendit".

Ky sesion do të vërë në provë brishtësinë e marrëdhënieve mes palëve, të cilat me urgjencë do të duhet të miratojnë disa ndryshime në kodin zgjedhor për t’i përshtatur ato me reformën administrativo-territoriale, të cilat opozita nga ana e saj ka deklaruar se nuk e njeh. Një tjetër sfidë pritet të jetë dhe reforma në Drejtësi e cila gjithashtu kërkon bashkëpunimin e ngushtë mes forcave politike.

Ndërkohë opozita tha sot se gjendja e vështirë ekonomike, korrupsioni i përhapur dhe lufta ndaj kriminalitetit do të jenë cështjet kryesore të betejës së saj politike.

XS
SM
MD
LG