Lidhje

Antidroga dhe drejtësia, përparësi për në BE


Rezultatet në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar po shpejtojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kështu deklaroi në Tiranë ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, e cila tha se ende nuk ka një datë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Sipas saj, reforma në sistemin e drejtësisë është fusha kryesore, që do të bindë ndërkombëtarët mbi angazhimin e Shqipërisë për integrimin europian.

Lufta kundër kultivimit, prodhimit dhe transportit të drogave i ka sjellë Shqipërisë vlerësime pozitive nga ndërkombëtarët për integrimin në Bashkimin Europian. Ministrja e integrimit, Klajda Gjosha tha se ende nuk është vendosur një datë për hapjen e negociatave për antarësim të plotë, megjithatë tashmë janë vënë në lëvizje reforma e pronave, e administratës dhe ka rezultate kundër krimit të organizuar.

Për ta cuar më tej integrimin, Shqipëria do të nisë bisedime dypalëshe me vendet antare të BE-së. Me kthimin e opozitës në parlament, komisioni i integrimit do të ngrejë një këshill kombëtar për këtë proces, ku marrin pjesë veprimtarë, biznesmenë dhe aktorë të tjerë. Por ministrja Gjosha thotë se ndikimin më të madh tek integrimi do ta ketë reforma në drejtësi, dhe madje gjithçka varet prej saj.

Kompanitë private po ndihmohen për të paraqitur projektet sipas modeleve europiane, dhe kjo po rrit kapacitetet thithëse për financimet e programit IPA. Grupe të përbashkëta Shqipëri - BE nisin punën në fillim të shkurtit për vëzhgimin e ecurisë me 5 detyrave.

Në tryezën e dialogut të nivelit të lartë pritet të vijë për herë të parë në Shqipëri edhe komisioneri Han për të çuar përpara procesin e integrimit. Në takimin e fundshkurtit me dyer të mbyllura do të marrin pjesë institucione të pavarura dhe opozita. Shqipëria e mori statusin e vendit kandidat në qershorin e kaluar dhe tani po punon të arrijë çeljen e negociatave për antarësim të plotë.

XS
SM
MD
LG