Lidhje

Rritet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve


Në vitin 2016 pasuria e 1 përqind të të pasurve të botës, të marrë së bashku, do të tejkalojë pasurinë e 99 përqind të popullsisë globale, në bazë të një studimi të organizatës bamirëse Oxfam. Siç njofton nga Londra korrepondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, aktivistët e luftës kundër varfërisë po kërkojnë që politikanët të marrin masa për ngushtimin e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve.

Oxfam thotë se rritja e pabarazisë po e pengon luftën kundër varfërisë globale. Kur 1 në 9 njerëz në botë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, rritja e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve është skandaloze, thotë Max Lawson i organizatës Oxfam.

"Një përqendrim i pabesueshëm i pasurisë tek pak njerëz është ekonomikisht joefikas. Pra, ne jemi shumë të shqetësuar. Kjo është diçka e keqe për planetin dhe sa vjen e keqësohet".

Raporti publikohet ndërkohë që udhëheqës global të biznesit dhe politikës po përgatiten të mblidhen në Davos të Zvicrës për Forumin Ekonomik Botëror. Aktivistë, si Max Lawson, po u bëjnë thirrje politikanëve të përpiqen për ngushtimin e pabarazisë ekstreme, duke filluar me rritjen e taksave për të pasurit.

"Kompanitë e minierave në Afrikë që kanë fitime shumë të mëdha nuk paguajnë taksa. Taksat nuk kanë të bëjnë vetëm me paratë. Është më mirë të mendohet për taksat si një formë e investimit në shkolla dhe spitale".

Sipas të dhënave të bankës Credit Suisse dhe të Forbes-it, Oxfam thotë se 1 përqind e njerëzve më të pasur zotëron 48 për qind të pasurisë së botës dhe vitin e ardhshëm kjo pritet të arrijë në mbi 50 përqind.

Profesor Andy Green i Institutit të Edukimit në thotë se ka një numër faktorësh që kontribojnë në rritjen e pabarazizë.

"Ndryshimet teknologjike fovorizojnë njerëzit me aftësi të larta dhe ulin kërkesën për njerëzit me kualifikim të ulët. Është gjithashtu dobësimi i sindikatave dhe pushteti i fortë i korporatave".

Profesor Green thotë se fuqia është përdorur për të influencuar politikat e qeverive.

"Korporatat e mëdha kanë lobizëm të fuqishëm. Ligjet kanë një ndikim të madh jo vetëm në fitimet e kompanive, por edhe në pagat e drejtuesve të tyre".

Së bashku me argumentin moral dhe ekonomik, ekzistojnë edhe lidhjet mes pabarazisë ekonomike dhe dhunës, duke përfshirë terrorizmin, thotë Profesor Tim Krieger i Universitetit të Freiburgut në Gjermani, i cili foli përmes Skype-it.

"Edhe terrorizmi fetar ka një element të fortë ekonomik. Pra, feja përdoret si mjet për të shprehur pakënaqësinë ndaj situatës politike dhe ekonomike. Dhe këtu hyn në lojë pabarazia".

Analistët thonë se një nga rajonet ku rritja e pabarazisë ekonomike ka shkaktuar trazira sociale vitet e fundit është Evropa jugore. Në Greqi, vendi më i goditur nga kriza ekonomike globale, politika ekstreme është në rritje, dhe sondazhet tregojnë se partia e majtë Syriza pritet të fitojë zgjedhjet e javës së ardhshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG