Lidhje

Fjalimi i Presidentit Obama dhe terrorizmi


Në fjalimin e tij, Presidenti Obama i mbajti të larta tonet e retorikës së ashpër ndaj terrorizmit, duke premtuar të luftojë kundër të gjitha kërcënimeve ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj. Sidoqoftë, megjithëse administrata e tij thotë se ka bërë përparim, ka shqetësime serioze se kërcënimi i terrorizmit është në rritje.

Në qiejt e Lindjes së Mesme, avionët e Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve vazhdojnë sulmet ndaj Shtetit Islamik.

Ai e vuri theksin tek një problem që ka marrë përmasa globale.

“Do të vazhdojmë të gjurmojmë terroristët dhe të shpërbëjmë rrjetet e tyre, ndërkohë që vazhdojmë të ruajmë të drejtën për të vepruar në mënyrë të njëanshme siç kemi vepruar që kur kam marrë këtë detyrë, duke eliminuar terroristët që përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për ne dhe aleatët tanë.”

Analistët janë dakort se SHBA ka provuar se mundet t’i zbulojë dhe godasë terroristët aty ku fshihen. Sidoqoftë, pavarësisht nga sulmet ajrore amerikane, Shteti Islamik nuk është zmbrapsur dhe vazhdon të paraqesë pengje të cilat kërcënon t’i ekzekutojë.

Daveed Gartenstein-Ross i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive nuk është i habitur nga aftësitë ripërtëritëse të këtij grupi.

“Në përgjithësi, kërcënimi prej aktorëve jo-shtetëtorë të ideologjisë xhihadiste është rritur masivisht gjatë katër viteve të fundit. Nuk jemi duke lëvizur në drejtimin e duhur.”

Fajin pjesërisht për këtë e ka administrata e prsidentit Obama për shkak të zgjedhjeve të bëra, thotë ai.

“Shumë prej gabimeve kanë lidhje me faktin që administrata preferoi revolucionet demokratike ndaj stabilitetit. Në veçanti, vendimi për të hyrë në Libi ka qenë me shumë kosto nga perspektiva e grupeve xhihadiste.”

Gjatë revoltave të Pranverës Arabe, Presidenti Obama u shpreh se Shtetet e Bashkuara mirëpresin ndryshimin që nxit vetëvendosjen dhe mundësitë e reja përballë asaj që e quajti “pushteti absolut i një diktatori”.

E megjithatë, zyrtarë amerikanë tashmë besojnë se ka disa qindra luftëtarë të Shtetit Islamik që po trajnohen në kampet e Libisë lindore. Grupe të tjera po e përdorin gjithashtu Libinë si vend pushimi për luftëtarët e tyre, për të krijuar lidhje të reja dhe për të përftuar armatim.

Madje edhe në vendet ku SHBA shënuan përparim, si Jemeni, situata mundet të ndryshojë me shpejtësi, duke krijuar rishtazi destabilitet që do të favorizonte Al-Kaidën e Gadishullit Arabik, tashmë e lidhur me sulmet terroriste të Parisit dhe kërcënimin e luftëtarëve të huaj.

Max Abrahms, është analist i terrorizmit.

“Kemi një numër të pacaktuar njerëzish me lidhje me Al-Kaidën dhe Shtetin Islamik dhe mendoj se lloji i sulmeve që pamë në Francë do të rritet.”

Zyrtarë amerikanë të zbulimit thonë se prej rreth 19 mijë luftëtarësh të huaj që kanë shkuar drejt Sirisë dhe Irakut, të paktën një e treta janë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Ata janë gjithashtu të shqetësuar prej numrit në rritje, të paktën 3400, që shkojnë dhe vijnë nga vendet perëndimore, në një betejë globale që analistët thonë se ka marrë drejtimin e gabuar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG