Lidhje

Perëndimi kërcënon Rusinë me sanksione të reja


Presidenti Barack Obama dhe udhëheqësit evropianë po paralajmërojnë për sanksione të reja ndaj Rusisë, pas separatistët pro-rusë ndërmorën një sulm vdekjeprurës me raketë ndaj qytetit port Mariupol të Ukrainës.

Në një vizitë shtetërore në Indi, zoti Obama tha se ai do ta rriste trysninë ndaj Moskës, pas sulmit të djeshëm që shkaktoi vdekjen e të paktën 30 vetëve dhe plagosjen e mbi 80 të tjerëve kur raketat goditën një treg dhe godina banimi.

Disa udhëheqës evropianë kishin përmendur së fundmi mundësinë e lehtësimit të sanksioneve kundër Moskës, por Donald Tusk, ish kryeministër i Polonisë, dhe President i Këshillit Evropian shkruante në Twitter se “edhe një herë, zbutja inkurajon agresorin që të intensifikojë dhunën. Është koha t’i forcojmë përpjekjet politike mbështetur në fakte, jo iluzione”.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko tha se bisedat në radio dhe telefon të interceptuara nga Kievi vërtetojnë se separatistët e mbështetur nga Rusia ishin përgjegjës për sulmin e Mariupolit.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se forcat e Kievit ishin përgjegjëse për përshkallëzimin e luftimeve në Ukrainën lindore.

XS
SM
MD
LG