Lidhje

SHBA, Rusia dhe Ukraina


Shtetet e Bashkuara po përsërisin shqetësimet e aleatëve të Perëndimit lidhur me ndërhyrjen e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainën Lindore. Zyrtarët e ushtrisë amerikane thonë se mbështetja e Moskës për separatistët është “shqetësuese”, ashtu sikurse prania e asaj që ata e cilësojnë “një forcë e fuqishme ruse e vendosur në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë.”

Qyteti-port Mariupol i Ukrainës. Copra xhami të thyer…një kujtesë e dhunës së disa ditëve më parë…

Presidenti rus Vladimir Putin fajësoi Perëndimin për përhapjen e luftimeve në Ukrainën Lindore.

"Në Ukrainë ndodhet një legjion i huaj, në këtë rast një legjion i NATO-s… Ata kanë shkuar atje pa ndonjë synim që lidhet me interesat kombëtare të Ukrainës. Ata kanë synime tërësisht të ndryshme, që lidhen me qëllimin gjeopolitik për ta përmbajtur Rusinë.”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u kundërpërgjigj nga Brukseli:

“Deklarata se ka një legjion të NATO-s në Ukrainë nuk ka kuptim. Nuk ka legjion të NATO-s. Forcat e huaja që ndodhen në Ukrainë janë ato ruse.”

NATO dhe Shtetet e Bashkuara akuzojnë Rusinë për dërgimin e pajisjeve të avancuara, përfshirë sisteme raketash, tanke, artileri të rëndë dhe sisteme luftarake elektronike për të fuqizuar separatistët.

Një zyrtar i lartë amerikan i tha Zërit të Amerikës, se Rusia, sipas tij “po dërgon paturpërsisht njerëz dhe pajisje” të mjaftueshme për të mos lejuar stabilizimin e Ukrainës.

Por tani për tani, përgjigja amerikane duket se do të jetë vetëm përmes sanksioneve ekonomike:

"Ne kemi më tepër mjete, nuk kam për t’i numëruar sot se cilat janë ato, por fakti është që ne i kemi ato”.

Zoti Lew thotë se Rusia tashmë është goditur prej disa prej sanksioneve më të sofistikuara të planifikuara ndonjëherë, që po ndjehen së tepërmi tek ekonomia ruse.

Por senatori demokrat Christoper Murphy thotë se në kushtet e tanishme nuk është i mjaftueshëm përdorimi i sanksioneve.


“Kam mendimin se tani është momenti ta furnizojmë ushtrinë e Ukrainës me armatime të një niveli të lartë. Mendoj se ata ndodhen në një pikë kur mund ta venë në përdorim këtë teknologji. Shpresoj se kjo do të jetë pjesë e diskutimit në javët dhe muajt e ardhshëm”.

Ndërsa SHBA kanë dërguar trajnues për të punuar me ushtrinë ukrainase, si edhe pajisje, kërkesa e Kievit për ndihmë në armatime ende nuk ka marrë përgjigje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG