Lidhje

Kobani, kurdët zgjerojnë ofensivën ndaj ISIS


Luftëtarët kurdë zgjeruan sot ofensivën e tyre kundër bazave të grupit Shteti islamik pranë Kobanit, një ditë pas deklaratave të tyre se e kishin rimarrë këtë qytet në kufirin sirian me Turqinë.

Kurdët thanë se morën nën kontroll fshatin Qarah Hlanj aty pranë, një pohim i konfirmuar edhe nga Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani. Luftimet e kurdëve me xhihadistët janë intensifikuar në një fshat tjetër, Shiran.

Zyrtarët amerikanë e modifikuan pretendimin kurd në lidhje me Kobanin, duke thënë se kurdët kontrollojnë rreth 90 për qind të tij, pas katër muajsh luftime. Pjesa më e madhe e qytetit dikur me 200,000 banorë, është shkatërruar nga luftimet.

Një numër i vogël banorësh të Kobanit, mijëra prej të cilëve kanë ikur në kampet e refugjatëve në Turqi, filluan të kthehen sot në qytet. Luftëtarët kurdë ngritën flamujt e tyre dhe bënë fotografi në rrugët plot me rrënoja. Por një zyrtar u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë larg qytetit për një farë kohe, sepse atje nuk ka ushqim, ujë, energji elektrike ose shërbime sanitare.

XS
SM
MD
LG